emigrantttt_8333
Qeveria e Finlandës nuk do t’i japë asnjë shqiptari të drejtën e azilantit, duke ndërprerë tashmë edhe paketën e ndihmës për azilkërkuesit, që ktheheshin në mënyrë vullnetare.
Ambasada e Finlandës në Greqi, që mbulon edhe Shqipërinë, me anë të një deklarate për shtyp ka sqaruar se, “numri i azilkërkuesve shqiptarë në Finlandë është rritur ndjeshëm gjatë verës 2015”.
Të gjithë azilkërkuesit shqiptarë të këtij viti kanë marrë përgjigje negative. Edhe atyre, që do të tentojnë të kërkojnë sërish azil, do t’u refuzohet, për shkak se Zyra e Emigracionit e konsideron Shqipërinë një vend të qetë, sa i përket situatës së përgjithshme të sigurisë.
Vendimet ndaj kërkesave për azil të shqiptarëve janë marrë kryesisht më procedurë të përshpejtuar dhe janë konsideruar si të pabazuara.
Shumë prej azilkërkuesve kanë kërkuar edhe ndihmë për kthim vullnetar në atdhe. Por, Finlanda nuk do ta japë këtë ndihmë automatikisht për të gjithë azilantët, pasi ka dyshime se sistemi i ndihmës për kthim vullnetar po keqpërdoret.
Ambasada u ka kujtuar se, bashkë me përgjigjen negative, të gjithë azilantët do të marrin edhe ndalim hyrjeje në zonën e Schengenit. Kohët e fundit – sqaron ambasada në deklaratën e saj, – të gjithë shqiptarët që kanë marrë përgjigje negative, kanë marrë edhe ndalim hyrjeje.
Duke qenë se një pjesë e madhe e azilantëve, deri më tani kanë përfituar nga paketa e ndihmave të dhëna nga ky shtet, Ambasada ka sqaruar edhe një herë se kjo paketë përfitohet vetëm një herë dhe u jepet vetëm atyre, që kanë nevojë për riintegrim.
Ndihma nuk miratohet, nëse ka arsye të dyshohet se aplikanti ka për qëllim vetëm ta keqpërdorë sistemin e ndihmës, ose nëse konsiderohet se personi që do të kthehet në atdhe nuk ka nevojë për të gjithë ndihmën.