Tifozët holandezë kanë shkaktuar trazira jo vetëm në vendin tonë, por edhe në shtetin e tyre. Mësohet se disa persona në Roterdam, të cilët duket se nuk e kanë përballuar dot humbjen e finales së Conference League, kanë krijuar situata kaotike në qytet. Nga mediet e huaja raportohet se 72 persona janë arrestuar gjatë natës së kaluar. Tifozët kanë shfryrë zemërimin në rrugët e Roterdamit, duke shkatërruar objekte e thyer xhama. Po ashtu ata kanë goditur edhe një tramvaj dhe një autobus. Gjatë tensioneve, dy efektivë policie janë plagosur nga tifozët e revoltuar. Të dy morën dëmtime të lehta.

Incidentet nuk munguan as në zonën e Pedonales në Tiranë, ku disa tifozë holandezë u përfshinë në përleshje.

Nga ana tjetër, tifozët e Romës festuan fitoren e trofeut falë suksesit 1-0 në Tiranë. Tifozët u dyndën në rrugët e kryeqytetit italian për të festuar një trofe që kishte munguar për 14 vjet.