Lionel Messi ka folur për Finalissima, ndeshjen kundër Italisë të mërkurën, duke komplimentuar të kaltrit në një intervistë të gjatë për TyC Sports. “Italia është kampione e Evropës, nëse do të ishte kualifikuar në Kupën e Botës do të kishte qenë favorite – shpjegoi numri 10 i Argjentinës – Ata patën fatin e keq që u eliminuan, por mund të kualifikoheshin më herët në grup, kur kishin mundësi për të fituar ndeshjen vendimtare para se të shkonin në playoff dhe nuk ia dolën, pastaj mbetën pa Botëror. Me siguri do të kishte qenë një nga kandidatet: po të ishte e pranishme në short, askush nuk do të kishte dashur të përballej me Italinë, ndaj për ne është një testim i mirë, të vazhdojmë të rritemi, të përmirësohemi dhe të arrijmë objektivin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme, që është ndeshja e parë e Botërorit”.

Messi megjithatë nuk ka ndërmend të bëjë asnjë tolerim në ndeshjen kundër të kaltërve. “Është një kompeticion zyrtar, i miratuar nga FIFA, një kupë më shumë për ne dhe ne duam ta fitojmë në mënyrë që ky grup të shtojë një tjetër trofe për lumturinë personale, për grupin dhe gjithashtu për popullin argjentinas”.

Mungesa e kualifikimit të Italisë ka tronditur edhe Pleshtin. “E vërteta është se është çmenduri që ata kanë fituar Kampionatin Europian dhe nuk janë në Botëror. Që Italia nuk është në një Botëror tjetër, me gjithë atë që do të thotë dhe për atë që Italia përfaqëson në historinë e Botërorit. Po, është mëkat, tani kam shokë dhe miq në ekip (Verratti dhe Donnarumma), dy lojtarë të mëdhenj me të cilët kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer, të cilët më kanë ndihmuar shumë që kur kam mbërritur te PSG, veçanërisht Verratti, dhe më vjen edhe më shumë keq”.

Sezoni me më shumë hije, sesa dritë, te PSG e largon argjentinasin nga gara për Topin e Artë. Pleshti nuk ka dyshime se kush e meriton më shumë. “Unë mendoj se nuk ka dyshime, është shumë e qartë se Benzema pati një vit spektakolar dhe përfundoi duke u shenjtëruar me Champions League, duke qenë thelbësor që nga raundi i dytë e në vazhdim në të gjitha ndeshjet. Mendoj se nuk ka dyshime këtë vit.”