Anglia po kalonte një periudhë të komplikuar, zero fitore në Nations Leauge. Por kombëtarja e Tre Luanëve ndryshoi klas në Kupën e Botës në Katar me goledadë 6-2 që në debutim. Çuditërisht aty mungoi firma e lojtarit më të shumëpritur, Harry Kane. Qendërsulmuesi nuk e futi emrin në tabelën e shënuesve, por mbetet kandidat për fronin e goleadorit. Southgate e ka të qartë se anglezët e tij janë një nga favoritët për triumfin final. E atëherë, tekniku është i vetëdijshëm se ka vetëm një njeri, mes të tijve, nga ku mund të hedhë sytë për shpëtim.

Harry Kane, njeriu i golave të rëndë, nuhatësi i portave kundërshtare, sulmuesi i madh që për skuadrën bëhet ‘ushtar’. Jo më kot edhe Pochettino, ish-trajneri i tij me Spurs, kontastoi se me 11 Kane mund të ndërtosh një skuadër. Harry është favoriti numër 1 për këpucën e artë të Kupës së Botës Katar 2022. Atë këpucë që katër vjet më parë e shijoi në Rusi dhe tani kërkon ta përsërisë me zhurmë golash. Anglia ka nevojë për specialitetin e sulmuesit të saj. Ai është një nga ata që shënon me të majtën, të djathtë, goditje me kokë. Është gjithnjë aty, në kohën e momentin e duhur. Southgate beson tek ai, me Kane mund të shkojë larg e të kthejë kupën në shtëpi.

RIVALËT E MËDHENJ

Sigurisht, janë Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, dy lojtarë që e kanë ripërcaktuar cfarë do të thotë të jesh golashënues në kohët moderne. Të dy ata duan një mbyllje të denjë për madhështinë e karrierës së tyre, edhe pse Pleshti e nisi keq, por me gol. Pastaj janë Robert Lewandowski, Neymar e Luis Suarez, veteran të njëmijë betejave, që insistojnë për një shtytje të madhe. Vëmendja e gjitha mbi Kylian Mbappe. Në formë brilante me Paris Saint-Germain. Ylli francez do ta ketë gjithë skenën për vete, pas dëmtimit fatkeq të Topit të Artë Karim Benzema një ditë para Botërorit.

Nga të gjithë Kane është më i kuotuari nga bookmakers. Në total janë 831 futbollistë, nga 298 klube të ndryshëm, por janë me gishtat e njërës ata që i rrezikojnë fronin e goleadorit kapitenit të Anglisë. Kane është njeriu për tu mundur, por do të ishte cmenduri të eleminoje nga shanset ndonjë prej emrave më të mëdhenj të futbollit.