Chelsea do të vazhdojë të tregojë në fanellë sponsorët, edhe atë që u largua nga klubi. Arsyeja? Nike nuk është e autorizuar të furnizojë komplete të reja. Ideja për të mbuluar logon me shirit ngjitës ose bojë llak u refuzua. Shoqëria Blues, pas pushtimit të Ukrainës nga rusët, u sanksionua nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet e ngushta të pronarit Roman Abramovich me Vladimir Putin. Sponsori “Three”, në këtë pikë, njoftoi se do të pezullonte kontratën e tyre vjetore prej 40 milionë stërlina me klubin, por edhe Hyundai, një sponsor që shfaqet te mëngët, njoftoi gjithashtu se do të pezullonte partneritetin e tij komercial me ekipin londinez.

“Three” dhe Hyundai prishën marrëveshjen, por operatori i telefonisë celulare kërkoi edhe heqjen e markës nga uniformat. Megjithatë, lojtarët do të vazhdojnë të shfaqin logon në fanellat e tyre. Kërkesa e sponsorit nuk doli të ishte aq e thjeshtë. Sipas kushteve të licencës speciale të miratuar nga qeveria, furnizuesi i uniformave Nike nuk është i autorizuar të furnizojë fanella të reja.

Lojtarët e Chelseat kanë veshur fanellat me markën ‘Three’ në katër ndeshjet e tyre edhe pas sanksionit dhe klubi u përpoq të zgjidhte ngërçin gjatë pauzës së kombëtareve, por asgjë nuk mund të bëhej. Shoqëria londineze kishte propozuar përdorimin e sprajit për të mbuluar logon, por ideja u refuzua si shumë e çrregullt. Prandaj u konsiderua përdorimi i shiritit ngjitës, por edhe ky propozim u refuzua sepse një shtresë shumë e hollë do të ishte transparente dhe për këtë arsye e padobishme, ndërsa një shirit i trashë do t’i kishte bërë fanellat shumë të rënda dhe potencialisht të pakëndshme për lojtarët.

Të gjitha zgjidhjet, kështu, janë hedhur poshtë dhe qeveria refuzon të heqë dorë dhe të lejojë Nike të furnizojë fanella të reja. Chelsea në këtë mënyrë do të veshë uniformën e tyre të zakonshme dhe do të tregojë të gjithë sponsorët, madje edhe ata që kanë braktisur klubin. Situata mund të ndryshojë nëse përfundon shitja e klubit, gjë që do t’i mundësonte qeverisë të heqë licencën speciale. Por me ardhjen e pronarëve të rinj, sponsorët mund të rivlerësojnë partneritetin e tyre me Blues.