Një skuadër ‘e vogël’ nga Spanja kundër të titulluarit United për një sfidë që po jep një trofe me peshë. Në Gdansk, me publik edhe pse të kufizuar, sonte luhet në skenë akti i fundit i Europa League: në fushë zbret Villarreal i udhëhequr nga Unai Emery dhe Manchester i Ole Gunnar Solskjaer, i pari mbreti i turneut me tre suksese në stolin e Sevilla, norvegjezi protagonisti i rimëkëmbjes së Djajve të Kuq, megjithatë, në kërkim të trofeut të tij të parë.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë deri më tani, mes zhgënjimeve dhe gëzimeve të mëdha sigurisht – ka thënë Solskjaer -. Është bukur të luash një finale, jemi të karikuar. Vitin e kaluar dolëm në gjysmëfinale, kështu që këtë vit jemi shumë të përqendruar, duam ta çojmë trofeun në shtëpi. Jemi përgatitëm siç bëjmë normalisht. Nuk do të shtojmë presion të mëtejshëm mbi lojtarët sepse çdo ndeshje për Manchester United është e rëndësishme”. “Çdo lojtar që arrin në finale dëshiron të fitojë. Dhe ky është qëllimi – nënvizon trajneri anglez – Ne presim të fitojmë, por jam i sigurt që Unai mendon në të njëjtën mënyrë. Është një 50-50 kur arrin në finale. “Unë kam besim. Në një finale gjithçka mund të ndodhë. Por ne jemi gati, unë kam parë që grupi po rritet, ata të gjithë kanë punuar shumë dhe tani do të përpiqen të shijojnë një ndeshje kaq të rëndësishme.”

United ka një histori suksesi dhe dëshiron të kthehet të ngrejë kupa: “Ky është klubi më i mirë në botë. Këto janë netë të shkëlqyera për ne. Mund të jetë trampolinë për një të ardhme të shkëlqyer. Kjo është një skuadër që ne e kemi rindërtuar në vitet e fundit, shpresojmë se mund të jetë fillimi i diçkaje më të madhe. Kur lojtarët firmosin për Manchester United, ata firmosin për të fituar”.

Buzëqesh për kthimin e spektatorëve Bruno Fernandes: “Futbolli pa tifozë është një sport kaq i ndryshëm. Ti kemi në finale është vërtet e mirë për ne. Shpresoj që ata të shijojnë finalen” ka thënë mesfushori i United. Solskjaer mund të besojë gjithashtu te Cavani, i riaftësuar, për të arritur objektivin. Maguire pothuajse me siguri nuk do të jetë në fushë, edhe pse trajneri e ka thërritur pavarësisht se nuk ishte rikuperuar nga dëmtimi: i pranishëm, por vetëm në stol për seancën e fundit stërvitore të Djajve të Kuq, mbrojtësi nuk do të jetë në fushë.

Emery gjithashtu dëshiron të lërë shenjë me Villarreal për finalen e parë evropiane në historinë e ekipit spanjoll. “Është një ndeshje e veçantë sepse po flasim për një qytet të vogël, që ka një nivel të lartë futbolli në Spanjë dhe në Evropë. Katër herë klubi kishte arritur një hap nga finalet: një herë kundër Arsenalit në Ligën e Kampionëve, tre në Europa League kundër Valencia, Porto dhe Liverpool. Këtë herë të pestë ne kemi kapërcyer pengesën dhe jemi në finale. Ky është një projekt i solid, i qëndrueshëm. Është një moment historik dhe ne duam të përjetojmë edhe të tjerë”.