Kampionati europian futet menjëherë në intensitet dhe tre ndeshje do të kompletojnë raundin e parë të dy grupeve të para. Në fushë Zvicra e shumë shqiptarëve, Danimarka, por edhe Belgjika, një prej favoritëve më të pritur të kompeticionit, por me dy mungesa të rëndësishme si ajo e Kevin De Bruyne e Ëitsel.

Zvicra e shqiptarëve do të bëjë debutimin kundër Uellsit. Pa Behramin e Dzemaili, skuadra ka më pak personalitet, por Xhaka e Shaqiri janë aty gati për të udhëhequr, duke sfiduar një ikonë të Uellsit si Gareth Bale. Sfida mes tyre është për të mos u humbur, por diferenca mes Zvicrës e Uellsit, në debutimin e tyre në turne në orën 15, është në kohëzgjatjen e projektit të tyre teknik. Vladimir Petkovic e ka nisur punën pas Botërorit 2014 nën shenjën e vazhdimësisë: jo rastësisht shtatë nga lojtarët ishin pjesë e kombëtares në Brazil. Robert Page, ndërkohë, drejton Uellsin nga nëntori, pas situatës së krijuar me Ryan Giggs. Ish-tekniku i Under 21 duhet të përballet me krahasimin e një gjysëmfinale të turneut 2016.

Danimarka do të masë forcat me Finlandën në orën 18.00 në ndeshjen hapëse të grupit B. Danezët, që dinë të impresionojnë në Europian pikërisht atëherë kur nuk mendohet, janë favoritë përballë skuadrës së Kanervës. Natyrisht Hjulmand mund ti besojë lojtarëve të kolauduar si portieri Schmeichel e dyshja e qendrorëve Kjaer Christensen, që sapo ka fituar i pari prezencën në Champions e u dyti trofeun. Mesfusha është në këmbët e Eriksen me suportin e Poulsen e Delaney, ndërsa pritshmëritë janë tek sulmuesi i Barcelonës Braithëait.

Në mbrëmje skena është e gjitha për favoritët e Belgjikës. Djajtë e Kuq do të sfidojnë Rusinë në shtëpinë e tyre në Shën Petersburg. Nuk është e thjeshtë me skuadrën e Cherchesov, por me një Lukaku në një formë madhështore Roberto Martinez e di se mundet. “Skuadra është përgatitur shumë mirë. Unë jam i lumtur për 10 ditët e fundit. Ndeshja e parë është gjithmonë e vështirë psikologjikisht, duhet të futesh mirë në turne dhe të gjesh ritmin. Ne i njohim rusët mirë dhe po ashtu ata ne, por do të jenë më shumë se 30,000 spektatorë dhe është një pengesë që duhet kapërcyer” tha tekniku. Problemi është se De Bruyne nuk është i gatshëm për debutimin, pavarësisht se tekniku nuk heq dorë prej tij. “Kevin De Bruyne nuk është këtu – theksoi ai – për shkak të një vendimi mjekësor. Ai kaloi një ditë shumë të mirë dje por dy ditët e ardhshme do të jenë e rëndësishme për të. Ëitsel ka qenë me grupin gjatë ditëve të fundit, dhe gjendja e tij është shumë e kënaqshme. Do të shfrytëzojmë çdo ditë në mënyrë që ai të mund të bashkohet me grupin, “përfundoi ai.

Rusët kanë ndryshuar shumë nga Botërori i shtëpisë, kur entuziazmuan me një skuadër ushtarësh rrethuar rreth komandantit të tyre, por Miranchuk, Golovin, Semenov e Dzuba e kanë një ide se cfarë kërkohet prej tyre. Mbetet vetëm për tu parë nëse do të ketë surpriza, si një paralajmërim për atë që do të shohim në vazhdim në Euro 2020: “Belgjika ka 18 lojtarë që luajtën në Kupën e Botës në 2018. Ata padyshim që janë një ekip i fortë. Jemi përballur me ata tre herë në vitet e fundit (Rusia humbi 3-1 dhe 4-1 në kualifikimet evropiane dhe barazoi 3- 3 në një miqësore) dhe të gjitha ndeshjet ishin vërtet argëtuese. Nesër duhet të luajmë në maksimumin tonë për të fituar”, përfundoi Cherchesov