11217517_964724016912113_258897314063882490_n
Lajm fantastik për gjithë shqiptarët nga Lozana. Shqipëria fiton tre pikë në ndeshjen e ndërprerë me Serbinë tetorin e vitit të kaluar në stadiumin e Beogradit.

Drejtësia më në fund vendoset në vend. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi sot ti jepte përfaqësues sonë atë që në fakt i takonte që në momentin kur huliganët serbë dhunuan në fushë lojtarët shqiptarë 14 tetorin e vitit të shkuar në Beograd.

“Shqipërisë i takon fitorja në ndeshjen e ndërprerë kundër Serbisë në Beograd me rezultat prej 3:0. Paneli gjeti që ndërprerja e ndeshjes, ose braktisja eventuale e saj u shkaktua nga lëshimet e sigurisë së organizatorëve dhe aktet e dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë nga tifozët serbë dhe së paku një punonjës sigurie”, thuhet në vendimin e CAS.

Por, Gjykata në Lozanë ka konfirmuar një ndëshkim për ekipin kuqezi. Skuadra Kombëtare prapë duhet të paguajë 100 mijë euro gjobë për shfaqjen e dronit.

“Të mbetet në fuqi gjoba prej 100 mijë euro për Shqipërinë, si përgjegjëse për dronin që fluturoi mbi stadium, i cili mbante të varur një banderolë me simbole patriotike-nacionaliste”, thuhet në vendimin e CAS.

Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s mohoi realitetin ashtu si edhe ai i Apelit më pas. Por tashmë pas kalvarit të gjatë 9 mujor, Shqipëria fiton betejën më të rëndësishme.

Ky 3 pikësh i forcon pozitat e de Biasit në grupin e I. Për momentin kuq e zinjtë kanë 10 pikë, po aq sa Danimarka.

Dhe jo vetëm kanë siguruar playoff-in, por kanë shanse reale për tu kualifikuar direkt drejt europianit të Francës.

Gjithsesi sot më shumë rëndësi sesa pikët ka rëndësi fakti që tashmë i gjithë opinion publik në mbarë botën e ka kuptuar se kush ishte agresori mbrëmjen e 14 tetorit 2014.