erzen_brecani_5214
Policia e Shtetit u gjet e papërgatitur nga shkëmbimi i zjarrit. Në Lazarat, efektivët e RENEA-s u futën pa pasur një plan të mirëmenduar”.
Kështu e shikon ish-komandanti i repartit të forcave speciale, incidentin që u shkaktua pak ditë më parë në Lazarat, gjatë të cilit humbi jetën një efektiv dhe u plagosën dy të tjerë.
Erzen Breçani tregon se cilat ishin gabimet që e çuan policinë në një “grackë” të grupit të zjarrit, të ngjashme me atë të vitit 1998, ku gjatë një operacioni policor u plagosën 7 efektivë policie.
“Për mendimin tim, ky operacion nuk ishte i mirëpërgatitur dhe i mirëmenduar, pasi pati mungesa të informacionit nga policia lokale. Pra, duhej të dihej nëse ky operacion do të ishte stacionar apo lëvizës, që do të thotë, nëse do ishte stacionar, policia duhej të kishte informacionin nëse ky operacion do të kryhej në një banesë, apo në një lokal dhe në operacionet stacionare është shumë e lehtë për të kapur personat; dhe duhej të dinin gjithashtu nëse ishte një ndërhyrje emergjente apo e planifikuar, që do të thotë se në këtë rast nuk kemi pasur një ndërhyrje emergjente, duke u nisur nga informacioni që kam deri tani. Nuk kemi një koordinim të forcave të RENEA-s me policinë lokale. Kjo, pasi nuk u kanë dhënë informacionin e duhur specialëve se personat kanë një rrezikshmëri të lartë, nuk u kanë dhënë informacionet se personat ndodhen në këtë godinë apo janë në lëvizje. Në këtë rast është mungesa e informacionit që ka pasur RENEA, dhe ky repart nuk është një repart që kryen krehje të zonës, që përdoret për patrullime, dhe duhet të përdoret vetëm në rastet kur Policia e Shtetit nuk ka kapacitete dhe mundësitë për të arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë. U desh në mënyrë të padiskutueshme që të bëhej një plan operacional, një plan masash që të përcaktoheshin, numri i saktë i efektivëve që do ndërhynin, numri i mjeteve, vendi ku do ndërhyhej, koha e ndërhyrjes, dhe aty duhej të ishin të gatshme edhe grupi i negocimit dhe ai i antieksplozivëve. Në shumë operacione që kemi qenë në Lazarat, kemi pasur një grup të RENEA-s që rrinte te helikopteri dhe duhej parë edhe në këtë rast nëse ka pasur një grup në gatishmëri te njësia e helikopterëve. Në këtë rast asnjë masë e tillë nuk është kryer që të shmangej një tragjedi e tillë. Ai repart e ka larë me gjak atë emër dhe nuk ishte e nevojshme që të kishim prapë një tragjedi të tillë në atë repart”, analizon Breçani.
Ish drejtuesi i lartë i policisë, analizon edhe përse tani ky grup ngriti armët ndaj Policisë së Shtetit. Sipas Breçanit, policia nuk duhet ti kishte lënë të organizoheshin që pas operacionit të para një viti.
“Unë vetë e kam vlerësuar operacionin e vjetshëm në Lazarat, por nga ajo kohë ka kaluar një vit dhe gjatë kësaj kohe, anëtarët e këtij grupi kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për RENEA-n. Gabimi më i madh i policisë ka qenë tërheqja dhe që e kanë lënë të riorganizohej këtë grup. Aq më tepër që këta persona janë të rinj, janë përdorues të lëndëve narkotike, u kanë lënë kohë të riorganizohen dhe janë ringritur, sepse gjatë një viti nuk janë mbajtur në përgjim të vazhdueshëm, apo nuk kemi parë që gjatë këtij viti të bëhet një arrestim i një të kërkuari nga policia. Policia duhej të bënte kontrolle të njëpasnjëshme për personat që ishin në kërkim në Lazarat”, shprehet Breçani.