Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dalë me një deklaratë të fuqishme për sa i përket luftës në Ukrainë. Ai tha se Rusia duhet t’i kthejë Ukrainës tokat e pushtuara, nëse ka qëllim vendosjen e një paqeje të qëndrueshme.

“Nëse rikthehet paqja në Ukrainë, natyrisht, kthimi i territoreve të pushtuara do të jetë çështje shumë e rëndësishme. Kjo gjë pritet”, tha Erdogan për rrjetin amerikan, PBS. Erdogan gjatë intervistës në Nju Jork ka shtuar se Moska duhet t’ia kthejë “edhe Krimenë pronarëve të ligjshëm”.

Krimeja u aneksua nga Rusia në vitin 2014 dhe kjo gjë nuk është pranuar asnjëherë nga Ankaraja zyrtare.

Turqia po luan një rol tepër të rëndësishëm që nga nisja e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës në muajin shkurt. Ishte pikërisht ky vend që ndërmjetësoi marrëveshjen për të mundësuar eksportin e grurit nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës. Ndonëse Turqia është vend anëtar i NATO-s, ende mban lidhje të ngushta me Moskën dhe Kievin.

Kujtojmë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.