Zyrtarët gjermanë kanë vendosur të kufizojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit te personat nën 60 vjeç. Vendimi është marrë pas raporteve për një mpiksje të rrallë gjaku te një numër i vogël i njerëzve që kanë marrë vaksinën. Në përgjigje, rregullatori i barnave në Bashkimin Evropian ka përsëritur të mërkurën se “nuk ka prova që mbështesin kufizimin e përdorimit të kësaj vaksine”.

Megjithatë, një ekspert ka pranuar se mpiksjet e gjakut në tru janë raportuar më shumë seç pritej. Në muajin mars, dhjetëra vende, përfshirë Gjermaninë, kanë pezulluar përdorimin e AstraZenecas për shkak të mpiksjes së gjakut.

Shumica kanë rinisur përdorimin, pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka konstatuar se përfitimet e vaksinës i tejkalojnë rreziqet e mosvaksinimit kundër koronavirusit. Por, kufizimi në Gjermani dhe disa vende të tjera ka rritur shqetësimet se besimi në vaksinë mund të dëmtohet përgjithmonë./ REL