Miliarderi Elon Musk e ka shkarkuar bordin e drejtorëve të platformës Twitter – duke çimentuar kontrollin në këtë rrjet social.


Musk tani do të jetë shefi ekzekutiv i kompanisë, pas blerjes së platformës javën e kaluar në vlerë të 44 miliardë dollarëve.

 

Përveç Twitterit, Musk është shef ekzekutiv edhe i dy kompanive tjera, Tesla dhe SpaceX.

 

Ai ka nisur të kryejë reforma menjëherë në këtë rrjet social, të cilin e përdorin politikanë dhe gazetarë në gjithë botën.

Në mesin e reformave përfshihen ndryshime në verifikim të llogarive në Twitter, si dhe zvogëlimi i vendeve të punës.

E përditshmja amerikane, The Washington Post, ka raportuar se është duke u diskutuar zvogëlimi i 25 për qind të numrit të punëtorëve.

 

Twitter nuk ka reaguar lidhur me këto raportime.

Më vonë, vetë Musk ka thënë se vendimi për shpërbërje të bordit të drejtorëve është hap “i përkohshëm” , por pa dhënë në shumë hollësi.

 

Aktualisht, Elon Musk është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej më shumë se 269 miliardë dollarësh, sipas revistës Forbes./REL