Eksportet kanë vijuar rritjen edhe në tetor, duke rikuperuar humbjet e vitit pandemik dhe duke rezultuar më të larta edhe se në 2019-n, kur vendi ishte në normalitet. Kjo tendencë ka reflektuar rritjen e fortë të dy grupeve, “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare e rritjes së kërkesës dhe çmimeve. Të dy grupet kanë ndikuar në 70% të rritjes së eksporteve për 10 mujorin. Eksportet e makinerive e pajisjeve kanë vijuar zgjerimin e qëndrueshëm, ndërsa tekstilet dhe këpucët mbeten të vetmet që janë më poshtë se niveli i 2019-n. Në rënie në tetor ishin për herë të parë dhe eksportet e produkteve ushqimore.

INSTAT raportoi se për 10 mujorin 2021, eksportet arritën në gati 300 miliardë lekë, me një rritje prej 35.2 % në raport me janar-tetor 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është rreth 19%. Në tetor, eksportet ishin 34 miliardë lekë, me rritje 26.3% në raport me të njëjtin muaj të 2020-s dhe rreth 26% më të larta në raport me tetorin 2019.

Tekstilet e këpucët nuk e kapin nivelin e parakrizës

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me rreth 30% të totalit), kanë vuajtur më shumë se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës dhe nga ndryshimi i sjelljes konsumatore. Ndonëse me rritje prej 8% për 10 mujorin në raport me janar-tetor 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 9% më të ulëta në raport me 10 mujorin normal të 2019-s.

Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur.

Rritje e fortë e materialeve të ndërtimit e metaleve

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 21% të totalit) vijuan ecurinë pozitive edhe në tetor. Për 10 mujorin, eksportet e këtij grupi u dyfishuan në raport me 2020-n, ndërsa janë 67% më të larta edhe se janar-tetor 2019. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje.

Rritje e fortë edhe për lëndët djegëse

E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, të ndihmuara nga çmimet e larta dhe rritja e kërkesës në tregjet ndërkombëtare. Lëndët djegëse e energjinë, që është rritur me 78% për 10 mujorin në raport me 2020-n, dhe 37% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019.

Makineritë e pajisjet nuk janë shumë optimiste

Grupi i ushqime pije dhe duhan ka ngadalësuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 12% për 10 mujorin, në raport me 2020-n. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza pandemike dhe vijoi rritjen edhe në 2020-n. Por në tetor, ai ka shënuar rënie për herë të parë, duke u tkurrur me 5% në krahasim me tetorin 2020. Ritmet e rritjes janë ngadalësuar për makineritë pajisjet e pjesët e këmbimit, shitjet e të cilit u rritën me 34% në raport me 10 mujorin 2020. Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete. Megjithatë, eksportuesit mbeten pesimistë lidhur me të ardhmen për shkak të rritjes së kostove dhe problemeve që kanë shkaktuar në tregjet globale ndërprerjet e zinxhirit të prodhimit.

Sipas INSTAT, Gjatë muajit Tetor 2021, në rritjen e eksporteve prej 26,3 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,0 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,6 pikë përqindje. Ndërsa grupet që kanë ndikuar negativisht janë: “Ushqime, pije, duhan” me -0,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me -0,1 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë rritur me 35,2 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,3 pikë përqindje,

“Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,2 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +3,0 pikë përqindje.

Deficiti tregtar në rritje

Sipas INSTAT, Defiçiti tregtar i këtij muaji është 43 mld lekë, duke u rritur me 31,6 %, krahasuar me Tetor 2020 dhe me 19,1 %, në krahasim me Shtator 2021. Rriten eksportet me Kosovën e Gjermaninë, ulen me Italinë.

Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u rritur me 35,2 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 632 mld lekë, duke u rritur me 29,5 %, krahasuar me një vit më parë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 333 mld lekë, duke u rritur me 24,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Eksportet rriten me Italinë

Në muajin Tetor 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2020 janë: Italia (15,2 %), Kosova (22,7 %) dhe Spanja (103,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermani (10,0 % ) dhe Mbretëria e Bashkuar (5,1 %). Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (23,1 %), Kosova (48,2 %) dhe Spanja (45,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina (20,2 %) dhe Rusia (31,9 %)./ Monitor