Ekspertët fiskalë, auditues ligjorë dhe kontabilistë kërkojnë sërish rishqyrtim të draftit të ri të Financave për tatimin mbi të ardhurat. Për ekspertët vijon të mbetet shqetësuese pabarazia që krijon ngarkesa fiskale te të vetëpunësuarit e profesioneve të lira dhe biznesi i vogël. Projektligji kthen, edhe një herë, debatin për taksimin e biznesit të vogël, që me ndryshimet e reja tejkalon taksimin në raport me të mëdhenjtë. Të ardhurat e individëve tregtarë dhe të të vetëpunësuarve, me xhiro deri në 14 milionë lekë, do të tatohen 15%, mbi këtë xhiro tatimi do të jetë 23%

 

Dorina Azo

Projektligji i rishikuar “Për tatimin mbi të ardhurat”, i publikuar te konsultimet publike i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që parashikon normë tatimi 15% për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit me xhiro deri në 14 milionë lekë dhe taksimin 23% për këto subjekte me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë, në ndryshim nga ai fillestar, që vendoste tatim të përshkallëzuar deri në 23% për të ardhurat mbi 2,4 milionë lekë, është pritur sërish me debat nga kontabilistët, ekspertët fiskalë dhe audituesit ligjorë.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo thotë se edhe drafti i ri karakterizohet nga pabarazia tatimore, madje tejkalon bazën tatimore të biznesit të vogël në raport me biznesin e madh.

“Aktualisht, bizneset me xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë paguajnë 15% tatimfitim. Ndryshimet parashikojnë taksim direkt të të ardhurave të biznesit 23%, në nivelet e biznesit të madh (taksimi te bizneset e mëdha është 15% tatimfitimi + 8% dividenti që shpërndahet nga fitimet e aksionerëve).

Në thelb, taksimi nuk qëndron, pasi norma e tatimit për biznesin e vogël e tejkalon biznesin e madh. I bie të tatosh biznesin e vogël 8% më shumë, ta tatosh për të gjithë dividentin. Në këtë situatë, të gjitha bizneset do të gjejnë mënyra për të shmangur fashën e xhiros që i takson 23%. Jam kundër tatimit me fasha, por nëse qeveria ka vendosur të zbatojë fashat, duhet të përdoret për të gjitha bizneset”, pohon ai.

Për ngarkesën e re tatimore, që u vendoset të vetëpunësuarve në profesionet e lira, sipas audituesve ligjorë është e barabartë me vlerën e tatimit që paguan një ndërtues. Për ekspertët vijon të mbetet shqetësim edhe përcaktimi i normës fikse të shpenzimeve të zbritshme, që nuk merr në konsideratë dokumentacionin tatimor.

Nëse qarkullimi i individit tregtar, ose të vetëpunësuar, nuk i kalon 10 milionë Lekë/vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme nga 30 deri në 90% sipas llojit të veprimtarisë.

Projektligji i ri i Ministrisë së Financave nuk e shmang zbatimin e tatimit progresiv për rastet kur të vetëpunësuarit nuk zbatojnë disa nga kriteret. Nëse një i vetëpunësuar, 80% ose më shumë të të ardhurave të fituara i merr direkt ose indirekt nga një klient i vetëm, ose 90% ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë, ato përfshihen si të ardhura nga punësimi.

Tatim mbi të ardhurat deri në 23% do të zbatohet edhe te biznesi i vogël

Nga ndryshimet e ligjit për tatimin e të ardhurave do të preken edhe bizneset e vogla, pasi të ardhurat personale të tyre do të tatohen 15%. Aktualisht, biznesi i vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë është përjashtuar nga tatimfitimi deri në 2029. Eksperti fiskal, Artur Papajani, tha për “Monitor” se tashmë edhe këtyre subjekteve të ardhurat do t’u tatohen 15%.

“Të thuhen gjërat qartë e thjeshtë. Nuk do të trajtoheni si biznese tatimpaguese ju të vegjlit, individët tregtarë, por do të tatoheni me tatim mbi të ardhurat personale. Paralelisht të abrogohet edhe tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, që e mbyll tashmë ciklin e tij. Kaq. Thjeshtëzimi i mënyrës së taksimit duhet të jetë në epiqendër të këtij akti.

Vërej një zbutje të kurbës së normave të taksimit dhe kjo është tendencë për thjeshtim, që e quaj pozitivitet. Por e mira është që thjeshtimi të jetë parim për këtë ligj, për vetë nivelin ekonomik e kulturor të taksapaguesve, përfshirë edhe ata që trajtohen si punëmarrës.

Normat tatimore vërtet janë politike, por masa e tyre dhe progresiviteti i bujshëm, të mos bëhet tabu. Ato të mund të jenë në harmoni me nivelin ekonomik të
çdo taksapaguesi, të administratës e ekonomisë në tërësi”.

 

Sa tatim do të paguajnë të vetëpunësuarit

Audituesi ligjor, Sokol Toska, pohon se edhe drafti i rishikuar vijon të ketë përcaktime pabarazie te norma tatimore. Ngarkesa e re fiskale për një të vetëpunësuar si profesionist i lirë me xhiro vjetore 10 milionë lekë, sipas përllogaritjeve të tij, do të jetë e njëjtë me tatimin që paguan një ndërtues.

Toska paralajmëron se taksimi i të ardhurave të të vetëpunësuarve me 15% do të nxisë informalitetin, duke rritur nivelin e ekonomisë gri.
“Në krye të herës duhet thënë se problemi kryesor në mjedisin shqiptar nuk janë politikat fiskale apo barra tatimore, por është administrimi tatimor. Ryshfeti, klientelizmi dhe mungesa e ekspertizës në të gjithë vertikalitetin e piramidës janë ato që e deformojnë sistemin.

Në këtë kuptim, diskutimi për ligjin ka pak vlerë, pasi qasja e administratës do të jetë e njëjtë dhe efekti në rritjen e të ardhurave do të jetë minimal.

Duke u kthyer tek analiza e draftit të dytë të projektligjit, në aspektin e politikes tatimore, vërehet se tipari kryesor është pabarazia. Kështu, tatohet 8% kapitali dhe taksohet në nivele të papërfillshme ose 0% prona, pra pronarët e trojeve dhe të ndërtesave, përfshi banesat.

Ndërkohë tatohet puna me 23% dhe profesionet (kontabilistë, juristë, arkitektë, etj., sipas një liste jotransparente) me 15%, e nga ana tjetër tatohen 0% një kategori klienteliste dhe me risk të lartë të pastrimit të parave (ndërtim në
turizëm, hoteleritë).

Në aspektin e politikës tatimore vërehet gjithashtu se do të rritet numri i individëve, të cilët duhet të plotësojnë deklaratë vjetore si dhe afati do të jetë më i ngushtë, brenda datës 31 mars nga 30 prill që është aktualisht.

Sipas parashikimeve të reja është ulur shuma e të ardhurave që detyrojnë për deklarim në 1,5 milionë nga 2 milionë që është aktualisht, por gjithashtu do të duhet të deklarojnë edhe të gjithë ata persona që realizojnë mbi 50 mijë lekë të ardhura në vit, të ndryshme nga paga. Ky nivel kaq i ulët do të rrisë dukshëm numrin e individëve që do të duhet të deklarojnë, por nga ana tjetër, gjykojmë se do të rritet prirja për transaksione informale.

Gjithashtu, nuk mund të lexojmë qartë në projektligj nëse është parashikuar një prag i volumit të biznesit për t’u kategorizuar si tatimpagues për tatimin korporativ. Pra do të ketë një prag qarkullimi apo do të jetë forma juridike, apo natyra e biznesit që e përcakton këtë përgjegjësi tatimore.

Nga ana tjetër kemi përcaktimin se personat juridikë që ofrojnë shërbime profesionale do të tatohen me tatim mbi të ardhurat personale, pra kriter sipas natyrës së biznesit. Nga pikëpamja e administrimit, kjo është mjaft shqetësuese, pasi lë hapësira të gjera për interpretime dhe të ekspozon ndaj sjelljeve arbitrare të administratës tatimore.

Ndërsa në aspektin a ngarkesës tatimore vërehet se është sheshuar me 15% tatimi i të ardhurave të bizneseve të profesioneve, pavarësisht formës juridike. Pra duket se kjo kategori (kontabilistët, juristët, arkitektët, etj.) janë shenjëstruar dhe do të “ekzekutohen”, pasi sipas llogarive, ngarkesa vjetore e tatimit për këtë kategori do të jetë mjaft e lartë.

Kështu për një qarkullim vjetor prej 5 milionë lekësh, tatimi do të rezultojë mbi 500 mijë në vit, apo rreth 45 mijë lekë në muaj. Ndërsa për një qarkullim vjetor prej 10 milionësh, tatimi do të rezultojë mbi 1 milion në vit apo rreth 90 mijë lekë në muaj.

Dhe kur mendon se si pasojë e administrimit tatimor kaq paguan një biznes që ndërton një pallat 10- katësh, atëherë sipas gjasave, edhe profesionistët do të tentojnë të gjejnë shtigje dhe do të rrisin ekonominë gri dhe informalitetin”, pohon ai.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë më herët argumentoi se ndryshimet në taksimin e të vetëpunësuarve në profesionet e lira synojnë të shmangin abuzimet me taksat, ku shumë prej tyre janë larguar nga listëpagesat e ndërmarrjeve, pasi kalonin si të vetëpunësuar.
Për ekspertin fiskal, Artur Papajani, kjo konsiderohet “zhurmë” e panevojshme që duhet të marrë fund, pasi detyra e institucioneve është të penalizojë evazorët dhe jo të gjithë kategorinë e bizneseve.

“Nëse është përhapur një tezë se ka pasur tendenca për shmangie të tatimit nga individë a profesione të caktuara, ose regjistrime ndryshe, diagnostika e thjeshtë të çon në konkluzionin që vetë ndryshimet populiste të bëra në vitin 2020 nga qeveria, në mënyrë të njëanshme e të kësaj natyre na çuan këtu.

Sa për evazorë nga to ka pasur e do ketë, prandaj janë institucionet, prandaj duhet lejuar konkurrenca e lirë, që ato të kenë shtigje të ngushtuara. Por të penalizosh gjithë biznesin për disa evazorë, kjo as duhet imagjinuar e jo më ligjëruar. Është njëlloj sikur, ngaqë rregullisht vriten një apo dy herë në ditë njerëz mes tyre, të rivendoset dënimi me vdekje për të gjithë.

Por dhe më kryesorja që duhet nënvizuar, hartuesit të kenë parasysh që ligji është i natyrës teknike, dhe nuk mund të marrë atributet e ligjit rregullator e kontrollues siç është ai procedural.

Pikërisht ky i fundit i ka dhënë zgjidhje fenomenit me mënyrat e vlerësimit, përfshirë edhe sjelljen e një profesionisti si punëmarrës. Plus me dhjetëra milionë euro janë investuar në suportet e sistemit tatimor, përdorini ato, por njëkohësisht trajnoni stafin, se elementi i burimeve njerëzore është mbi atë infrastrukturor dhe do t’i jepni jetë elementit kyç i barrës së provës”.

 

Rastet kur do të përdoret taksimi progresiv te të vetëpunësuarit

Në prezantimin e parë të draftit, një nga pikat më të diskutueshme që ngjalli debat te kontabilistët ishte që të ardhurat e të vetëpunësuarve do të konsiderohen të ardhura nga punësimi.

Drafti i parë i tatonte me shkallë progresive deri në 23%. Edhe në projektligjin e rishikuar nuk shmangen rastet kur të ardhurat e të vetëpunësuarëve do të taksohen si të ardhura nga punësime.

Nga shqyrtimi nen për nen i projektligjit, kontabilisti Armand Mala konstaton se pika “e” te neni 12 parashikon se të ardhurat nga biznesi i të vetpunësuarve që çedojnë disa kritere do të konsiderohen të ardhura nga punësimi.

Konkretisht te neni 12, të ardhurat e punësimit përfshihen edhe te të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar nëse: 80% ose më shumë e të ardhurave të fituara, merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose 90% ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë. Mendoj se të ardhurat nga biznesi janë të ardhura nga biznesi dhe të ardhurat nga punësimi janë të ardhura nga punësimi.

Nëse është menduar ndryshe, atëherë shteti duhet të marrë përsipër që t’u sigurojë të vetëpunësuarve ato lehtësi që ka edhe një i punësuar si p.sh: a)

Kompensim të të ardhurave gjatë periudhës së pushimeve, njësoj si një i punësuar paguhet për ditët e pushimeve vjetore të paguara. Kompensim të të ardhurave në masën 50 dhe 80% për leje lindje kur të vetëpunësuarit janë me leje lindje, njësoj si një i punësuar përfiton, kur është me leje lindje etj. Duke qenë se jemi koshientë që këto janë të parealizueshme, mendoj se kjo pikë duhet riparë”, pohon Mala.

Vendosja e tatimit progresiv te të ardhurat e të vetëpunësuarve të profesioneve të lira u konsiderua më herët e gabuar dhe jokushtetuese nga kontabilisti Sotiraq Dhamo. “Ato janë të ardhura biznesi profesional dhe duhet të tatohen si të tilla, pra si të ardhura biznesi dhe jo si të ardhura nga paga.

Askush nuk mund t’i trajtojë të ardhurat e biznesit si të ardhura nga paga, sepse kjo do të përbënte shkelje të barazisë kushtetuese, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit. Pra, nëse bëj biznes profesional, do të trajtohen si të gjithë bizneset e tjera edhe në lidhje me tatimin mbi fitimin.

Nga ana tjetër, kjo nismë, nëse ndërmerret për profesionistë të lirë, persona fizikë të vetëpunësuar, mendoj se është në kundërshtim me frymën që duhet të ketë një qeveri kombëtare për të krijuar shtresën dhe klasën udhëheqëse edhe në biznes, për të siguruar punësim, të ardhura dhe zhvillim. Është kjo klasë që drejton ekonominë dhe nuk duhet të goditet, përkundrazi duhet të mbështetet që të ketë mundësi të investohet dhe të zhvillohet sa më shumë”, – pohoi ai.

 

Shpenzimet e zbritshme

Individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen mbi të ardhurat nga biznesi, pasi t’u njihen shpenzimet nga 30% deri në 90%, sipas llojit të biznesit. Skema e shpenzimeve të zbritshme parashikohet të funksionojë deri për xhiron në 10 milionë lekë. Ndërsa mbi këtë fashë qarkullimi nuk njihen shpenzimet.

Kontabilisti Armand Mala pohon se neni 14 që përcakton regjim të veçantë për individë tregtare dhe të vetëpunësuar nxit pabarazinë. “Në thelb ky nen, parashikon që kjo kategori e bizneseve të mund të zbresin shpenzime (sipas disa përqindjeve të paracaktuara) pa mbajtur regjistrime në kontabilitet.

Përveç shumë e shumë mangësive, padrejtësive e pabarazive që ka kjo metodë, zhbën totalisht atë të cilën kemi gjithë këto vite që investojmë, strukturimi, formalizimi e raportimi i të gjitha bizneseve. Për të mos pasur biznese “pa kontabilitet” apo biznese pa dokumentacion tatimor, u prezantua fiskalizimi apo pak vite më parë u përfshinë të gjitha bizneset në skemën e TVSH-së, sepse duke formalizuar të voglin, kapet në grackë i madhi. Po tani?”

Për ekspertin Artur Papajani, interpretimi i këtij neni konsiderohet i pakuptimtë për kohën, pasi sot bizneset kryejnë raportime online. “Në projekt, për një kategori individësh tregtarë (limituar me një nivel të caktuar qarkullimi) apo jotregtarë, janë projektuar edhe nivele fikse, “apriori” shpenzimesh. Gjë e mirë, por këto të jenë të zbatueshme, deri në atë masë që tatimpaguesi nuk mund të disponojë dokumente justifikuese.

Projekti të marrë më shumë në konsideratë elemente teknike të patrajtuara nga ligji aktual, pasi edhe fenomenet e transaksionet e zhvilluara në kohë, nuk kanë qenë parashikuar. Pra shumë interpretime, hera-herës të pakuptimta (të paligjshme jo, pasi as kanë qenë parashikuar më parë) përfshihen në këtë projektligj. Të tilla janë shumë raste të transaksioneve të shërbimeve ndërkombëtare, të zbatimit të konventave ndërkombëtare të shmangies së taksimit të dyfishtë etj.

Gjithashtu mund të jenë objekt diskutimi e përfshirje në ligj, të incentivave që i japin një mbështetje progresit në teknologji, marketing, etj., si më avantazhuese e me ndikim konkret, se sa përjashtimet tërësore. Shpresoj që periudha e konsultimit publik do marrë kohë të mjaftueshme që elementi kohë gjithashtu të mos cenojë cilësinë e këtij ligji që po pritet me mjaft interes e që do të ketë impakt potencial për vitet në vijim”.

 

Ekspertët kërkojnë rishikim të projektligjit

Për kontabilistët, drafti ka shumë vend për përmirësim dhe është e domosdoshme që sa më shpejt të realizohet konsultimi në nivel ekspertësh, me qëllim përmirësimin e tij.

“Jam i bindur që pasi projektligji të kalojë fazën e konsultimit publik, me specialistë të fushës, pa interesa personale, pa ndërhyrje për favorizime të grupeve të caktuara, ka për t’u hartuar një ligj më i mirë, që do të gjejë më shumë mbështetje dhe zbatim”, pohon Mala.

Pas shqyrtimit nen për nen të draftit, kontabilisti Armand Mala gjen shumë paqartësi që duhet të rishikohen. “Në parim, një ligj i ri që merr në konsideratë edhe aktivitete që as nuk mund të imagjinoheshin në kohën kur është hartuar ligji nr. 8438 “Për tatimin mbi të ardhurat”, do të ishte i mirëpritur.

Por do të ishte edhe më i mirëpritur nëse nuk do të vinte pas dhjetëra ndryshimeve të shpeshta ligjore në vitet e fundit e premtimeve për 0 taksë deri në 2029. Këto ndryshime cenojnë tërësisht qëndrueshmërinë ligjore dhe normalisht me kaq ndryshime të shpeshta, bëhet shumë e vështirë thithja e investitorëve të huaj.

Po ashtu, pika 1 e nenit 30 kufizon njohjen e shpenzimeve të interesit deri në masën 30% të fitimit. Në ligjin aktual ka një kufizim për njohjen e shpenzimeve të interesit, i cili është, në opinionin tim, shumë në rregull.

Kufizimi i ri është shumë i tepërt. Përse duhet të kufizosh njohjen e shpenzimeve të interesit, kur marrja e një kredie është mjaftueshëm stres për bizneset. Tashmë, përveç streseve të përhershme të kredisë, shpenzimet e interesit u “kriminalizokan”. Në përgjithësi, drafti ka shumë vend për përmirësim.

Jam i bindur se, nëse ligji kalon në një fazë të vërtetë konsultimi publik, me specialiste të fushës, pa interesa personale, pa ndërhyrje për favorizime të grupeve të caktuara, ka për t’u hartuar një ligj më i mirë, që do të gjejë më shumë mbështetje dhe zbatim”.

Edhe për ekspertin fiskal, Artur Papajani, projekti do të duhet t’i nënshtrohet procedurës së konsultimit publik, duhet që realisht t’i adresohet një publiku të mirorientuar, pasi ka mjaft paqartësi.

“Qeveria nuk mund të administrojë një proces bazuar në “linjën e masave” apo “popullore”. Ajo mund të bëjë politikë me shkallët tatimore, por jo me metodat e taksimit, si dhe me shumë aspekte teknike të ligjit. Në një ligj fiskal, duhet respektuar çdo tatimpagues dhe këtu nuk ka të mëdhenj e të vegjël, pasi çdokush prej tyre paguan, aq sa detyrohet e në proporcion me çfarë fiton”. Duhet pranuar nga të gjithë që një ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat, është i nevojshëm në kushtet tona, parë në këndvështrimin historik. “Nuk është puna vetëm te zhargoni që ligji ekzistues është i ngjyrosur me të gjithë ngjyrat e ylberit.

Ngjyrat janë gjysma e së keqes, por janë dukuri të reja të natyrës tregtare e fiskale sidomos, që nuk ishin parashikuar më parë dhe boshllëku vende-vende plotësohej me akte të tjera normative, apo udhëzime me sajesa të administratës.

Personalisht, e përjashtoj tezën e përdorur rëndom, që janë ndryshime që na i dikton përshtatja e legjislacionit me vendet e Unionit.

Aq më shumë që vetë BE nuk ka një direktivë të miratuar e me veprim unik. Në rrethana të caktuara, vërehet që s’para përfillet kjo kërkesë. Ky është një projekt që kur të marrë formën juridike, duhet të jetë në shërbim të shqiptarëve, të atyre që paguajnë taksa e tatime, të huajve që vijnë apo nuk vijnë të bëjnë biznes, por edhe të qeverisë shqiptare që të kryejë e të plotësojë gjithë ato angazhime”.

Disa nga nenet më të debatueshme të projektligjit

Neni 14

Regjimi i veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar

1. Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10,000,000 Lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara, në një shumë të vetme si më poshtë, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet:

a. 60% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;

b. 90% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë;

c. 70% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual;

d. 60% të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj., të kësaj natyre;

e. 50% të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare;

f. 30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar. Aktivitetet, sipas këtij paragrafi, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në Kodin e Veprimtarive Ekonomike.

2. Tatimpaguesi, i cili ka zbritur shpenzimet në një shumë të vetme sipas paragrafëve të mësipërm, nuk i lejohet të kërkojë zbritje apo kompensim tjetër, përveç kompensimit personal, sipas Nenit 22 “Zbritjet nga Baza Tatimore” të këtij ligji.

 

Neni 21

Baza Tatimore Vjetore

1. Baza tatimore vjetore përbëhet nga: a. Të ardhurat vjetore të tatueshme të punësimit; b. Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit; c. Të ardhurat vjetore të tatueshme të investimeve;

2. Baza tatimore vjetore zvogëlohet me kompensimet dhe zbritjet e përcaktuara sipas këtij ligji. Nëse diferenca midis të ardhurave vjetore të tatueshme dhe shumës totale të kompensimeve dhe zbritjeve është negative, baza tatimore vjetore konsiderohet të jetë zero.

3. Shuma e tatimit mbi të ardhurat e pagueshme nga një person për një vit tatimor është totali i shumave të pagueshme sipas kësaj pjese.

 

Neni 24

Norma tatimore

1. Të ardhurat bruto nga punësimi tatohen me normat e mëposhtme:

Baza tatimore vjetore Norma tatimore

0 – 2,040,000 13%

Mbi 2,040,000 23%

2. Të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit tatohen me normat e mëposhtme:

Baza tatimore vjetore Norma tatimore

0 – 14,000,000 15%

Mbi 14,000,000 23%

3. Të ardhurat nga investimi tatohen me normat e mëposhtme:

a. Të ardhurat nga dividentët 8%.

b. Çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi 15%.

4. Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi./MONITOR