Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e muajit qershor, ku Shqipëria do të përballet me Islandën, Izraelin dhe Estoninë. 

Në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF) është publikuar edhe lista e 26 futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja.

 

Nga dëmtimet janë rikthyer mbrojtësi, Kastriot Dermaku dhe mesfushori, Nedim Bajrami ndërkaq italiani ka vendosur të ketë në listën e pritjes edhe nëntë lojtarë, duke qenë se kalendari është i ngjeshur dhe mund të ketë probleme fizike për shkak të ngarkesës.

 

Në këtë listë janë Thomas Strakosha, Jon Mersinaj, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami, Albi Doka, Kevin Haveri, Enis Çokaj, Lindon Selahi dhe Ernest Muçi.

Kombëtarja e Shqipërisë në kuadër të Ligës së Kombeve ndeshjen e parë do ta luaj si mysafir i Islandës më 6 qershor, kurse pret në shtëpi më 10 qershor Izraelin. Pas këtyre dy sfidave ata do ta luajnë edhe një miqësore me Estoninë në ‘Air Albania’ më 13 qershor. /radionacional.al