Pas Dhomës amerikane të tregtisë, është shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) që del kundër amnistisë fiskale.

“Aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale,” thuhet në njoftimin për mediat.

“Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është “Tatimi i posaçëm” në nenin 16 të Projektligjit. Një tatim kaq i ulët (5%, 7% dhe 10%) për formalizimin e parave dhe aseteve të pa deklaruara, jo vetëm që është i padrejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen,” thuhet më tej në deklaratë.

Projekti për amnistinë fiskale është shpërndarë për konsultim nga qeveria që thotë se emigrantët shqiptarë kudo në botë kanë të drejtë të sjellin në Shqipëri paratë e tyre.

Por kufiri i lartë i shumave të padeklaruara të parave, deri në 2 milionë euro ka ngritur dyshime se nisma nuk do të krijojë lehtësi për emigrantët e ndershëm, por për ata që kanë pasur fitime nga trafiku i drogës, shfrytëzimi i prostitucionit apo aktivitete të tjera kriminale jashtë vendit.

Komisioni Evropian është shprehur kundër nismës, që nxit pastrimin e parave të pista, ndërkohë, Dhoma Amerikane dhe Shoqata Gjermane kujtojnë se kritikat e viteve të shkuara për amnistinë fiskale nuk janë marrë parasysh.