Kundër Lulzim Bashës nuk është tashmë vetëm Sali Berisha, që po pret shkarkimin e tij më 11 dhjetor, por edhe Ilir Meta. Kreu i shtetit vijon replikat me Bashën pasi ky i fundit ka hedhur akuza ndaj tij si dhe e ka futur në atë që Basha e quan si “Trekëndëshi i Bermudës”. Meta ka publikuar në faqen e tij në Facebook një deklaratë të bërë në vitin 2015. Ripublikimi i kësaj deklarate do të thotë rikonfirmim i atyre që ai ka thënë për Bashën 6 vite më parë.

Deklarata: 

“Lidhur me risitë dhe çuditë që po sjell në politikën shqiptare kryetari i PD-së, zoti Basha nuk ka nevojë të jap edhe shumë sqarime. Është i vetmi kryetar opozite i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në të gjithë Europën dhe botën kërkon vetëm dorëheqjen e kryetarit të parlamentit dhe unë e kuptoj se kush është arsyeja e vërtetë. Është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj jo thjesht ndaj demokratëve në parlament, por sidomos ndaj liderit historik, zotit Berisha duke i dhënë mundësinë të shprehë pa kufizim në tërësi mendimet dhe qëndrimet e tij politike. Të jeni të bindur që do të dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë kriminale Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama”