Edhe këtë verë zërat e merkatos për Cristiano Ronaldon nuk shuhen. Lojtari, i cili u kthye te Manchester United vitin e kaluar, ka kërkuar nga klubi që të shitet në rast të një oferte të përshtatshme, por, për momentin, Djajtë e Kuq janë kundër lamtumirës së tij. Duke pritur të mësojë të ardhmen e tij, CR7 i është përkushtuar edhe bizneseve të tij. Sulmuesi, në fakt, ka nxjerrë në shitje avionin e tij privat, sepse është shumë i vogël.

37-vjeçari e bleu avionin në vitin 2015 për rreth 20 milionë euro. Është një Gulfstream G200, të cilin Ronaldo e përdor shpesh për të shkuar me pushime nëpër Evropë me partneren e tij Georgina Rodriguez dhe fëmijët, ose për të udhëtuar drejt Portugalisë. Avioni mund të strehojë tetë deri në dhjetë persona, por për CR7 është shumë i vogël dhe është në kërkim të një modeli më të madh.

Ronaldo e ka dhënë shpesh me qira avionin e tij për një tarifë që varion nga 6 mijë deri në 10 mijë euro në orë, por tani ka vendosur ta shesë dhe janë disa blerës të disponueshëm. Ende nuk është i qartë çmimi i shitjes, por sigurisht që bëhet fjalë për disa milionë euro.