Pas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) edhe Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë e rishikoi me +1.9 pikë përqindje (pp) rritjen ekonomike të Shqipërisë më 2021 në raportin e vjeshtës.

Sipas ekspertëve të Vjenës, ekonomia e Shqipërisë do të rritet këtë vit me 6.4% nga 4.5% që ishin pritshmëritë më herët në raportin e pranverës. FMN tashmë pret një rritje prej 7.8% dhe Banka Botërore prej 7.2%.

Rimëkëmbja e Shqipërisë në formë “V” sugjeron që ekonomia është përsëri në rrugën e duhur dhe do të mbetet e shëndoshë. Rritja e PBB-së do të përshpejtohet në 6.4% në 2021 dhe do të vijojë mbi 4.5% në një periudhë afatmesme, sugjerojnë ekspertët e Vjenës.

Ata pohuan se rritja u ndikua nga zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit. “Sektori i turizmit ka pasur një vit mbresëlënës dhe po i afrohet nivelit të tij para pandemisë. Rritja do të udhëhiqet nga investimet dhe nga kërkesa optimiste e jashtme dhe e brendshme, por rreziqet negative do të rrjedhin nga tregjet ndërkombëtare dhe kërcënimet që vijnë nga zhvillimet pandemike” analizojnë ekspertët.

Instituti i Vjenës pret që ekonomitë e 23 vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) ku bën pjesë edhe Shqipëria të rriten me 5.4% këtë vit. Prithsmëritë u rishikuan me rritje prej 1.2 pikë përqindjeje, krahasuar me pranverën. Vendet që do të kenë rritjen më të lartë janë Turqia (9.1%), Mali i Zi (8.4%) dhe Moldavia (8%), edhe pse dy vendet e fundit do rriten për shkak të bazës shumë të ulët.

Ekspertët e Vjenës analizojnë se në vitin 2021, Rajoni i CESEE ka të ngjarë të rritet ndjeshëm më shpejt se Zona e Euros (4.8%). Rajoni kaloi nivelin e parakrizës të vitit 2019 në tremujorin e dytë.

“Performanca e fortë e ekonomive të Europës Lindore shpjegohet kryesisht me rregullat më pak strikte të COVID në shumë vende, dhe me faktin se sektori i shërbimeve është shumë më i vogël se në Europën Perëndimore” , thotë Vasily Astrov, Ekonomisti Lartë në “WIIW” dhe autor kryesori raportit të Parashikimit.

Shtytësi kryesori rritjes në CESEE është konsumi privat. me një mesatare prej 14.5%, me një zgjerim të ndjeshëm në tremujorin e dytë. Investimet gjithashtu u rritën. Estonia pati shumë investime në fushën e bioteknologjisë dhe prodhimit të vaksinave Covid-19.

Eksportet gjithashtu po rriten ndjeshëm për shkak të kërkesës globale dhe rimëkëmbjes së turizmit. Megjithatë, prodhimi industrial në shumë vende të rajonit po vuan nga mungesa e lëndëve të para.

Papunësia gjithashtu mbetet një problem në shumë vende, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë, ka mungesa të fuqisë punëtore në ata sektorë që janë zgjeruar pas krizës.

Inflacioni në rritje po ndihet në mënyrë të ngjashme në CESEE. Aktualisht, në shumicën e vendeve të rajonit, normat e inflacionit janë 3% deri në 4% më të larta se në fillim të vitit. Megjithatë, inflacioni i lartë duhet të jetë një fenomen kalimtar. Aty ku përdoret euro, presioni inflacionist është përgjithësisht më i ulët./