Michael Ballack rigjen dashurinë. Ish-lojtari i kombëtares gjermane ka nisur një lidhje me modelen Sophia Schneiderhan. 21-vjeçarja ishte mike me Emilion, djalin e ish-mesfushorit që vdiq më pak se një vit më parë në një aksident tragjik. Ballack u nda me partneren e tij prej shumë vitesh Natacha Tannous muaj më parë.

Gushtin e kaluar, Emilio, djali 18-vjeçar i Ballack, vdiq pas një aksidenti tragjik me ‘quad’ në Troia, një gadishull pranë Setubal në jug të Lisbonës, pranë pronës që ish-lojtari bleu disa vite më parë. Ish-lojtari i Chelsea ishte në atë kohë i lidhur me gazetaren franceze Natacha Tannous, por çifti u nda jo shumë kohë më vonë.

Gjermani, siç raporton Bild, u afrua kështu me Sophia Schneiderhan, një mike e Emilios. Të dy më vonë ranë në dashuri, e pavarësisht se ai është 24 vite më i madh se modelja, miqtë e çiftit të ri kanë thënë për gazetën gjermane se diferenca në moshë nuk i shqetëson fare dhe se kanë shumë të përbashkëta. Ballack dhe Sophie janë parë disa herë në publik së bashku dhe janë parë gjithashtu në Art Basel, një panair për artin modern dhe bashkëkohor.

Emilio ishte i dyti nga tre fëmijët që gjermani pati me Simone Lambe. Dyshja qendroi bashkë për disa vite përpara se të ndaheshin në vitin 2012. Ballack, i cili konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë gjermanë të gjeneratës së tij, e filloi karrierën e tij në Gjermani te Bayer Leverkusen.

Paraqitjet dhe golat e tij i dhanë atij mundësinë e transferimit te Bayern Mynih. Me bavarezët, ai fitoi tre Bundesliga dhe shënoi 67 gola në 152 paraqitje. Më pas gjermani fluturoi për në Angli, te Chelsea. Ish-mesfushori në 4 vitet e tij me fanellën e Blues fitoi tre Premier League, Carabao Cup dhe FA Cup. Para se të mbyllte karrierën, Michael u kthye te Bayer Leverkusen, ku qëndroi për dy vite.