Zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit,  Karen Donfried, e cila mbërriti mbrëmjen e djeshme në Shqipëri në kuadër të një turi që po zhvillon në Ballkan, do të zhvillojë sot takime me krerët e politikës shqiptare. Ndihmës Sekretarja e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, ka mbërritur në kryeministri ku do të takohet me Edi Ramën.  Donfried shoqërohet në takim nga ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, si dhe nga i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

 

 

Në takimin me Ramën, pritet të diskutohen çështje të rëndësishme të aktualitetit, përfshirë fokusin e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit.

Më pas zyrtarja e lartë e Dash do të takohet dhe me tre përfaqësues të PD-së, deputetë jo pjestarë të Komisionit të Rithemelimit, si Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku. Gjatë pasdites së djeshme, ndihmës Sekretarja e SHBA-ve, për Çështjet Evropiane dhe Euraziatike, u takua me komisionerin Oliver Varhelyi ku folën për domosdoshmërinë e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonis së Veriut në Bashkimin Europian.