SK Sports Holding, i themeluar nga ikonat e sportit Clarence Seedorf dhe Khabib Nurmagomedov, njoftoi sot nisjen e Seedorf Khabib Performance Club, një shkollë futbolli me një metodologji unike stërvitore që do të kombinojë futbollin dhe artet marciale miks (MMA). Marrëveshja nënkupton që të rinjtë në mbarë botën do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre sportive dhe sociale. SK Sports Holding do të krijojë partneritete lokale dhe rajonale për të menaxhuar Klubet e Performancës, me plane për të hapur 10 seli në mbarë botën gjatë 5 viteve të ardhshme.

Khabib dhe Seedorf u takuan në vitin 2020 dhe gjetën menjëherë harmoninë, duke ndarë një dëshirë të përbashkët për t’i kthyer diçka shoqërisë dhe për të lënë një ndikim afatgjatë në jetën e të rinjve. Të dy jetojnë dhe promovojnë një mënyrë jetese të shëndetshme, të cilën duan t’ua përcjellin me pasion brezave të ardhshëm.

Seedorf është shprehur në lidhje me këtë inisiativë: “Futbolli më ka dhënë shumë në jetë dhe tani dua të angazhohem për t’i kthyer diçka komunitetit. Jam shumë i lumtur që jam ortak me Khabib dhe ndikoj pozitivisht në brezin e ardhshëm me njohuritë që kam marrë ndër vite. ”

Ndërsa Nurmagomedov tha: “Unë kam qenë gjithmonë një tifoz i madh i futbollit dhe e kam admiruar Clarencen jo vetëm si lojtar, por edhe si njeri. Seedorf Khabib Performance Club do të ketë një ndikim shumë pozitiv dhe do të përmirësojë futbollin dhe aftësitë atletike të djemve, por mbi të gjitha do të ndihmojë për të formuar njerëz të mirë që është edhe gjëja më e rëndësishme”.