Pas rëndimit të situatës me zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë, ashtu si mjaft vende në Mesdhe, BE po mbështet vendin duke aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile. Situata e zjarreve që kanë përfshirë Shqipërinë ditët e fundit, vazhdon të mbetet shqetësuese. Numri i vatrave aktive të zjarrit u rrit me rreth 50 përqind të mërkurën, (04.08) kur ato arritën në 13 nga 9 që ishin një ditë më parë.

Në orët e vona të mbrëmjes u mbulua nga zjarri dhe flakët edhe Mali i Shëngjinit. Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur hetimet për këtë vatër të re aktive zjarri pasi ka dyshime që zjarri nuk ka ndodhur nga temperaturat e larta, por është i qëllimshëm dhe ka autorë. Numri i të arrestuarve si zjarrvënës u dyfishua të mërkurën, duke arritur në 6 persona.

Në një raportim zyrtar për situatën e zjarreve nga Ministria e Mbrojtjes theksohet që ndonëse vatrat aktive të zjarrit janë rritur, në shumicën e tyre ato nuk përbëjnë rrezik për të përfshirë qëndrat e banuara dhe banesat. Por në Fushë Arrëz, (Qarku i Pukës) ka rrezik që zjarri të përfshijë zonat e banuara. Për të penguar përhapjen e zjarrit aty janë aktivizuar mbi 500 efektiva të Forcave të Armatosura.

Dëmet e deritanishme nga djegia e qindra hektarëve pyje, kullota dhe mijra rrënjëve ullinj janë të konsiderueshme. Sinoptika parashikon për ditën e sotme, (05.08) rritje të mëtejshme të vatrave aktive të zjarrit nga të nxehtët që parashikohet të shkojë në 41- 43 gradë Celsius. Era, që parashikohet të fryjë me shpejtësi 50-55 km në orë rrezikon përhapjen e zjarreve. Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të BE (Emergency Response Coordination Centre, ERCC) ka llogaritur që brenda pesë ditëve të para të muajit gusht numri i zjarreve në Shqipëri ka arritur në 120.

Janez Lenarcic: Solidaritet i BE, në kohë nevoje

Pas bisedimeve në fllim të kësaj jave mes autoriteteve të Shqipëisë dhe atyre të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE, ky mekanizëm u aktivizua në përgjigje të situatës së vështirë të Shqipërisë dhe gjithë rajonit për shkak të zjarreve.

Në një deklaratë, të publikuar të mërkurën, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE, thekson që “në mbështetje ndaj Shqipërisë, dy vende, Holanda dhe Çekia do të sjellin në Shqipëri tre helikopterë për të kontribuar në shuarjen e vatrave të zjarrit, që do të mbështesin operacionet e shuarjes së vatrave të zjarrit. Ndërsa nga Franca në zonat e prekura nga zjarret në Itali, mekanizmi në fjalë do të dërgojë dy aeroplanë zjarrfikës. Nga Qipro dy avionë të tillë do t’i dërgohen Greqisë për ta mbështetur atë në situatën alarmante të zjarreve ndërsa Sllovenia do të dërgojë në Maqedoninë e Veriut një ekip prej 45 zjarrfikësish.

Komisioneri për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic e quajti këtë mbështetje në deklaratën e sipërpërmendur ,”një shembull të shkëlqyer të solidaritetit të BE në kohë nevoje”.

47 ushtarakë holandezë vijnë këtë javë në Shqipëri

Mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile është një rrjet autoritetesh të mbrojtjes civile në vendet anëtare që mund t’i dërgojnë njëri-tjetrit helikopterë apo aeroplanë zjarrfikës. Komisioni Europian koordinon ofertat vullnetare të shteteve pjesëmarrëse në këtë rrjet.

Në një mesazh në median sociale të ambasadës holandeze në Tiranë theksohet që “helikopterët janë të tipit Chinook dhe janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve. Bashkë me helikopterët do të vijnë edhe 47 ushtarakë holandezë për të filluar këtë javë operacionet”.

Përfshirja e Shqipërisë nga veriu në jug në zjarre nxorri në dritë mungesën e mjeteve për t’i shuar ato brenda nje kohe sa më të shkurtër. Autoritetet përkatëse nisën të mëkurën një auditim të tenderave për të blerë mjete dhe pajisje për të gjitha institucionet që kanë lidhje me emergjencat sociale./DW