“Nuk më pëlqeu që dikush bënte pasime me thembër, të vonohej manovra. Mua më pëlqen në 90 minuta të kesh ritëm të lartë, duhet luajtur, si kemi bërë në pjesën e parë”. Edoardo Reja e nis me kritika edhe pas 5-0 me të cilën kuqezinjtë mposhtën San Marinon në kualifikueset drejt Katar 2022, që e ngjiti Shqipërinë në vendin e dytë në Grupin I. “6 pikët janë ato që kishim parashikuar dhe kemi thënë që nëse duhej të ishim konkurrues, duhej të fitonim këto ndeshje. Mendonim të bënim pikë në Poloni, por nuk ishim me fat. Ekipi po luan mirë, djemtë po besojnë dhe jemi një grup i mirë. Të rinjtë janë përgjigjur mirë, është Bajrami që na jep cilësi në mesfushë, është Broja që po pret gati, është lojtar i rëndësishëm”.

Zhgënjimin megjithatë Reja e mori në fund të ndeshjes dhe jo nga skuadra e tij: “Ishim në pankinë në 5-0 po më thoshin që fitonte Anglia, ishim të lumtur. Por pastaj erdhi një dush i ftohtë me golin në shtesë. Por nëse duam të vazhdojmë ëndrrën, duhet të mundim Poloninë këtu”.

Pas golit egosit me Hungarinë, Broja tregoi tani gjithë altruizmin e tij në këtë ndeshje, e kurorëzuar me dhuratën për Uzunin në golin e pestë: “Broja ishte shumë i aftë se u tregua altruist, se gjen lojtarët, nuk është se vetëm kërkon golin. Kjo më kënaq se ka treguar përulësi, di çfarë do të thotë një shok, të jesh bashkë, ai ta jep topin. Ashtu edhe Uzuni, më pëlqen kjo lloj sjellje, jo një egoist. Kjo është diçka e mirë, kur shoku është në pozicion më të mirë duhet të pasosh. Kjo është ndër gjërat më të mira të ndeshjes”, përundoi Reja.

ROSHI: “ISHA ME DY MENDJE TE RASTI I GOLIT”
Odise Roshi është i lumtur për minutat me San Marinon dhe ka vetëm një dëshirë, të mos ketë më dëmtime: “Dëmtimi e rrëzon shumë lojtarin. E rëndësishme është që fituam, nuk i nënvlerësuam, San Marino luajti në mbrojtje. Të gjithë e kemi mendjen te Hungaria, ajo do të jetë ndeshje shumë e fortë” – tha fieraku me mendjen tek objektivi. “Vendi i dytë? Është vend shumë i mirë, shpresojmë ta mbajmë, për ta kap, e kapëm, halli është ta mbash. Ne duam të rezistojmë aty ku jemi, pavarësisht se Anglia është nënkampione Europe. Qëllimi është të marrim rezultat pozitiv me Hungarinë, ndërsa Poloninë e presim në shtëpi”. Sa i përket mundësisë për të shënuar edhe ai në goledën kuqezi, Roshi është i sinqertë: “Isha me dy mendje, do isha shumë i lumtur po të shënoja, por skemi çfarë bëjmë një rezultat i bukur”.

HYSAJ: ËNDËRR KUR SHËNON PËR KOMBËTREN
“Siç kam thënë gjithmonë është kënaqësi dhe ëndërr me kur shënon gol me Kombëtaren, është kënaqësi shpresoj të vazhdoj kështu”. Elseid Hysaj i ka gjërat të qarta dhe nuk e fsheh kënaqësinë për një performancë pozitive, të markuar me gol. “E rëndësishme ishte të fitonim meqë bëmë shumë golat ishte mjaft mirë do të na karikojë për ndeshjen e radhës”. Në lidhje me dëmtimin që e bëri të dalë më herët nga fusha, mbrojtësi i Lazios sqaroi: “Asgje e rëndë asnjë goditje, shpresoj të jem gati për të dielën me skuadrën time”.

LAÇI, GOLI I PARË ME KOMBËTAREN: E KAM ËNDËRRUAR QË FËMIJË
“Është kënaqësi e madhe të shënojë një gol me ekipin Kombëtar. E kam ëndërruar që fëmijë. Për ne ka më shumë rëndësi 3 pikëshi. Ishte ndeshje serioze nga fillimi në fund. E vazhduam aty ku e lamë”. Qazim Laci ka bërë një tjetër ndeshje të mirë, duke nxitur Rejan të vazhdojë ti japë besim. Tani si titullar ka ardhur edhe goli i parë me fanellën kuqezi, që mesfushori e përjeton: “Asgjë nuk e mendova, e godita topin, pashë portierin ku ishte dhe e provova. U turbullova pak gjatë festës, emocionet vijnë vetë”. Laci ka zbuluar edhe bisedën me teknikun italian menjëherë pas përfundimit të ndeshjes: “Nuk më tha ndonjë gjë speciale, më tha bravo për golin që shënove, bëri pak gallatë me mua, ishte i kënaqur me golin që shënova”.