vras

DURRES- Horror në Durrës. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në këtë qytet, ku janë gjetur të pajeta dy të moshuara, pas dhunës së ushtruar ndaj tyre.

Mësohet se viktimat janë përkatësisht, Gjinovefa dhe Elsa Vava, 70 dhe 75 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën. Gjithçka duket si pjesë e një skenari filmi horror, pasi viktimat dyshohet të jenë mbytur me qese plasmasi, ndërsa burime policore kanë pohuar se të moshuarat i kishin të lidhura duart me qese dhe se janë mbytur nga asfiksia.

Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të një banese private ku rrinin dy kunatat, e cila ishte në pronësi të tyre, në lagjen nr.11, pranë Postës të qytetit bregdetar të Durrësit, ndërsa janë gjetur të pajeta nga djali i Elsa Vavas, njërës prej viktimave. Sipas dëshmisë të djalit, ai në mëngjes kishte shkuar drejt banesës ku dhe kishte parë derën e hapur dhe dy gratë e pajeta.

Trupat e dy të ndjerave janë nisur drejt morgut të qytetit për të vijuar me ekspertizën mjeko-ligjore. Njëra prej viktimave, Elsa Vava ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë. Sipas dëshmive të të afërmeve, viktimat kujdeseshin për një grua invalide, e cila jetonte në katin e parë të banesës.

Hetimet ne dy pista
Hetimet e policisë janë përqendruar në dy pista të mundshme, atë të një konflikti për pronën dhe pistën e grabitjes. Sipas raportimeve, mësohet se janë shoqëruar në polici cilësinë e dëshmitarëve, disa fqinj dhe të afërm të të moshuarave, për tu pyetur rreth ndonjë konflikti të mundshëm.

Në vendngjarje ndodhet prokurori Besim Hajdarmataj, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. Hidhen dyshime se mund të kenë qenë më shumë se 2 autorë që kanë marrë pjesë në këtë krim makabër.