Deputetja Grida Duma, ka deklaruar përmes një postimi në rrjete sociale, se jep dorëheqjen prej postit të nënkryetares së Partisë Demokratike.

Që prej humbjes së thellë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Duma dhe gati të gjithë mbështetësit e liderit aktual të PD, janë kthyer me tone të ashpra kundrejt tij.

Në reagimin e saj të fundit, Duma kërkon dorëheqjen e Bashës duke e cilësuar atë si një dështak që kërkon të përfitojë personalisht, ndërsa partia më e madhe e së djathtës prej një dekade qëndron në opozitë.

“Partia Demokaratike e Shqipërisë është në ditët më të vështira, traumat e humbjeve të njëpasnjëshme nuk po rikuperohen sepse Lulzim Basha i përdor dhe negocion që dështimet e Partisë Demokratike t’i kthehen në fitime të tij.

Pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi me maturi politike të ndërmarrë akte të përgjegjshme dhe të japë dorëheqjen, Lulzim Basha përdori një pakicë të zhgënjyerish për të goditur deputetët, më të votuarit dhe më përfaqësuesit e Partisë Demokratike.
Fakti që Lulzim Basha nuk largohet edhe pasi shumica e grupit parlamentar i kërkoi dorëheqjen na kërkon të gjithëve vendimarrje për shpëtimin e demokratëve të sakrifikuar një dekadë.
Megjithëse personalisht nuk kam asnjë përgjegjësi në vendimarrje dhe ia kam shkruar e lënë të dokumentuara vendimet e dëmshme sot deklaroj që jap dorëheqjen si Nën/Kryetare e Partisë Demokratike, duke qenë ky vetëm një prej vendimeve të domsdoshme për demokratët.
Partia Demokratike nuk mund të jetë humbëse se duhet që dështaku të fitojë e përfitojë!”, shkruan Duma në rrjetet sociale.