Që nga fillimi i ofensivës ruse numri i fëmijëve të vrarë në Ukrainë është rritur në 219. Kjo është bërë e ditur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, cituar nga Ukrinform.

Nga raportimet zyrtare mësohet më shumë se 398 fëmijë janë plagosur. Zonat e vendit ku përfshihet numri më i madh i të miturve janë rajoni i Donetskut, provinca e Kievit, Kharkiv, Chernihiv, Kherson, Mykolaiv.

Rreth 8,000 trupa të Ushtrisë Britanike do të marrin pjesë në stërvitjet e planifikuara në të gjithë Evropën Lindore në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës, në atë që premton të jetë një nga dislokimet më të mëdha që nga Lufta e Ftohtë. Dhjetëra tanke do të vendosen nga tani deri në verë në vendet e Evropës Lindore, nga Finlanda në Maqedoninë e Veriut, sipas planeve të zhvilluara pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Dhjetëra mijëra ushtarë nga NATO dhe aleanca e Forcave të Përbashkëta Ekspeditore, e cila përfshin Finlandën dhe Suedinë, do t’i bashkohen stërvitjeve.

Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar pritet të arrijë në rreth 8,000 njësi të cilat do të zhvendosen në kontinentin e Evropës nga tani deri në qershor.