Ministria e Drejtësisë ka prezantuar sot pr.ligjin e ri të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Më shumë se një vit më parë, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, Lapsi.al publikoi një databazë të Partisë Socialiste të hartuar nga “patronazhistët” ku kishte informacione të detajuara për mbi 900 mijë persona. Të dhënat kishin të bënin me numrin e telefonit, bindjet politike, qendrën e votimit si dhe pozicionin e punës.

Databaza e patronazhistëve u mbrojt nga kryeministri Rama dhe eksponentët drejtues të PS-së, me pretendimin se nuk kishte shkelje të ligjit.

Ndërkohë me draftin që është paraqitur së fundmi nga ministria e Drejtësisë në nenin 9 të tij thuhet se “ndalohet përpunimi i të dhënave që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, besimin fetar ose pikëpamjet filozofike, anëtarësimin në sindikata, përpunimi i të dhënave gjenetike ose të dhënave biometrike me qëllim për të identifikuar në mënyrë unike një person, si dhe i të dhënave në lidhje me shëndetin, jetën ose orientimin seksual të një personi”.

Në paragrafin e dytë të këtij neni ka disa raste kur lejohet grumbullimi i të dhënave sensitive, por edhe në këtë rast vetëm për anëtarët dhe ish anëtarët si dhe të dhënat personale të mos përhapen jashtë organizatës.

Neni 9

Përpunimi i ligjshëm i të dhënave sensitive

Me përjashtim të rasteve të përcaktuara në paragrafin 2 të këtij neni, ndalohet përpunimi i të dhënave që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, besimin fetar ose pikëpamjet filozofike, anëtarësimin në sindikata, përpunimi i të dhënave gjenetike ose të dhënave biometrike me qëllim për të identifikuar në mënyrë unike një person, si dhe i të dhënave në lidhje me shëndetin, jetën ose orientimin seksual të një personi.

Me kusht që të zbatohen masa të përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe interesave të subjekteve të të dhënave, lejohet përpunimi i të dhënave sensitive në rastet kur:

d) është i nevojshëm për veprimtarinë e ligjshme të organizatave jofitimprurëse politike, filozofike, fetare dhe sindikaliste, me kusht që përpunimi të lidhet vetëm me anëtarët ose ish-anëtarët e organizatës ose me persona që kanë kontakte të rregullta me të në kuadër të veprimtarisë së saj, si dhe që të dhënat personale të mos përhapen jashtë organizatës pa pëlqimin e subjekteve të të dhënave;