tritan-kalo-640x480

tritan kalo

Dr.Tritan Kalo sfidon me dorëheqje ministrin Beqaj: S’është mjek, teston mjekët

Mjeku infeksionist Tritan Kalo tha se ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj duhet të kërkojë ndjesë për atë që kundërshton të jetë veprim i drejtë për testimin profesional në sistemin shëndetësor

Denion Ndrenika

Në emër të mjekëve, infermierëve dhe tenkinëve laburantë të QSUT-së mjeku infeksionist Tritan Kalo, kërkoi ministrit të Shëndetësisë të kërkojë falje madje nëse ka përgjegjësi të japë dorëheqjen pasi nuk po rikthen dinjitetin bluzave të bardha por po i nëpërkëmb ato.

Mjeku infeksionist Tritan Kalo sfidoi me kërkesën për dorëheqje ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj shoqëruar me ndjesë për atë që kundërshton të jetë veprim i drejtë për testimin profesional në sistemin shëndetësor.

Doktor Kalo ironizoi jo pak zotin Beqaj kur i kujtoi se nuk ishte as mjek e merrte përsipër testimin e vetë mjekëve, inferimerëve dhe laborantëve.

Për doktor Kalon, “nuk bëhet aspak fjalë për rikthimin e dinjitetit të bluzave të bardha por nëpërkëmbje të tij, çka ka sjellë trishtim zemërim, pakënaqësi dhe frikë për të sotmen e të ardhmen profesionale”.

“Pa mbyllur procesin 5 vjeçar të kreditimit, pa nxjerrë mësimet e duhura nga ky proces për të përmirësuar fazën e dyte, na shfaqet në horizont një urdhër i ministrit jo mjek për testimin e mjekëve, infermierëve e teknikëve laborantë duke nisur nga muaji shkurt 2015”-tha doktor Kalo në mbledhjen e Komisionit të Kuvendit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Në komision u dëgjua doktor Dine Abazaj që udhëheq “Urdhërin e Mjekut”, i cili tha se zoti Beqaj e ka ndërmarrë vendimin për testim pa pyetur kërrkënd dhe me kokën e tij.

Kurse, doktor Kalo “e mbyti” me disa thënie të njerëzve të mëdhenj ministrin Ilir Beqaj:

“Duhet të jesh i mirësjellshëm me njerëzit në rrugën tënde drejt karrierës sepse në rrugën tënde drejt zbritjes do t’i takosh ato patjetër”

Gëte: “Më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi”.

Abraham Linkoln: “Ka të drejtë të kritikojë ai që ka zemër të ndihmojë”.

Nënë Tereza: “Lakuriqësi nuk quhet vetëm mungesa e rrobave, por edhe mungesa e dinjitetit njerëzor’.

Doktor Kalo mandej i kërkoi ministrit Beqaj që të përgjigjej në disa pyetje:

-Me kë po i bën reformat?

-Cilat platforma po ndjek?

-Çfarë modeli po ndjek në testimin në masë të bluzave të bardha?

-A kishte dhe a ka planifikuar ministri ngritje pagash duke e barazuar ato me vendet fqinje meqënëse u referohet atyre?

-Çfarë stafi ka në ministri, apo bordet me të cilat po punon për këto reforma?

-Çfarë kapacitetesh kanë këto stafe dhe për çfarë meritash janë aty?

-A e njeh Ministri i Shëndetësisë autonominë profesionale të mjekut?