166667
Një ditë pasi lapsi.al publikoi lajmin se dy kryebashkiakë të PS, Elvis Roshi e Artur Bushi pritet të japin dorëheqjen si rezultat i betejës për dekriminalizimin të ndërmarrë nga opozita dhe ndërkombëtaret, ka ardhur reagimi i njërit prej tyre. Artur Bushi, kryetari i bashkisë së Krujës, mohon kategorikisht mundësinë për të dhënë dorëheqjen si pasojë të akuzave të opozitës për përfshirje në trafikun e drogës në Itali. Në një intervistë të dhënë për gazetën Shqiptarja.com, ish –deputeti socialist thotë se do ta ushtrojë detyrën deri në fund. Ai mohon që dorëheqja t’i jetë kërkuar nga kryeministri Rama dhe thotë se ai i është lutur vetëm që t’i dërgojë projekte zhvillimore për Krujën.

“Përderisa unë jam i padënuar dhe nuk ka asnjë hetim në proces në emrin tim në asnjë shtet të botës, opozita le të vijojë të hedhë baltë, unë jam i qetës. Opozita ka të drejtën e fjalës, por ato media që abuzojnë në këtë drejtim, duhet të konsultohen me dokumentet e dëshmisë së penalitetit që unë kam. Unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen, por e kam ndërmend të përkushtohem për të përmbushur këtë përgjegjësi të madhe që më ka dhënë populli në krye të Bashkisë Krujë. Mohoj në mënyrë kategorike që kryeministri të më ketë kërkuar të jap dorëheqjen. Kryeministri mua më ka kërkuar vetëm një gjë: të lutem shumë më sill projekte zhvillimore për Krujën që ne të bëjmë punën tonë”.

Sipas opozitës, Artur Bushi rezulton i arrestuar nga policia italiane e Varezes si pjesë e një bande të trafikut të drogës. Por Bushi ka paraqitur një dokument të drejtësisë italiane për të vërtetuar se ai nuk ka qenë asnjëherë i dënuar në Itali.