Kur na ndajnë 24 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Partia Demokratike përmes një deklarate për mediat ka akuzuar kryeministrin Rama se dështoi t’u sigurojë emigrantëve shqiptarë votën e emigrantëve.

“Edi Rama është një dështim në çdo drejtim. Pas 8 vjetësh premtime, ai dështoi t’u sigurojë emigrantëve shqiptarë të drejtën kushtetuese të votës në vendin ku ata jetojnë. Rregjistrimi i qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë dhe Edi Rama nuk e përmbushi qëllimisht atë”, shkruhet në deklaratën e PD-së.

Sipas Partisë Demokratike, Rama përdori emigrantët dhe diasporën për propagandë dhe për abuzim me fondet publike

“Partia Demokratike, nesër në qeverisje, do të bëjë të mundur votimin elektronik për çdo qytetar shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Me votimin elektronik ne përmbushim angazhimin tonë që shqiptarët e Diasporës të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar nga vendi ku jetojnë”, thuhet në deklaratë.