Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq po vazhdon të këmbëngul në zgjedhje të parakohshme parlamentare.


Partia e të parit të shtetit të Malit të Zi, DPS, muaj më parë ka votuar për shkarkimin e kryeministrit, Dritan Abazoviq.

 

“Jam i bindur se në tre muajt e ardhshëm do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare në Mal të Zi”, tha Gjukanoviq.

 

Siç theksoi ai, Mali i Zi po përjeton krizën më të rëndë në historinë e re, e cila filloi në vitin 2015 dhe u nxit nga ato qendra që nuk e pëlqejnë Malin e Zi evropian dhe civil.

Ai ka deklaruar se shtetin malazez, përmes Open Balkan, dëshironin ta devijonin nga rruga euroatlantike dhe ta kthenin nën Serbinë e Madhe.

“Kriza aktuale është edhe politike dhe e sigurisë, institucionale, financiare dhe ekonomike. Është një agresion i poshtër që dëshironte ta nxirrte Malin e Zi nga konstelacioni politik evropian dhe euroatlantik dhe ta kthente atë përmes të ashtuquajturës programi ekonomik, “Open Balkan” në Serbi të Madhe, nën ombrellën e sigurisë së “Rusisë së Madhe”, tha Gjukanoviq.

 

Ndryshe, Abazoviq u shkarkua pas arritjes së Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse të Serbisë.