Për Ditmir Bushatin, kompromisi me opozitën për të qenë jo të ndarë, por të ndryshëm, është domosdoshmëri që një mazhorancë të mos sundojë por të qeverisë.

“Situata e pazakontë që po përjeton opozita duhet të na shqetësojë se jeta politike në një republike parlamentare nuk funksionon normalisht pa pasur alternativë përkundrejt shumicës.

E kam bindjen që Shqipëria do ishte në pararojën e vendeve të rajonit në procesin e anëtarësimit e mbase dhe anëtare nëse do ishin krijuar kushtet për një klimë më përbashkuese në këto tre dekada.

Për fatet e përbashkëta të atdheut fjala kompromis nuk duhet konsideruar kurrë as si pazar i rëndomtë as si fjalë e ndyrë.

Me opozitën ne s’kemi nevojë të jemi të ndarë por të ndryshëm.

Opozita është mekanizmi i balancimit real jo i përjashtimit apo përplotësimit formal.

Vetëm kështu do mundet që ne të qeverisim pa sunduar për një Shqipëri ku ia vlen të jetosh”, tha Bushati në fjalën e tij në Kongresin e PS.

Fjala e Plote

Jemi mbledhur në forumin më të rëndësishëm të familjes tonë politike, rreth një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, ku ne socialistët morëm besimin e popullit për të qeverisur vendin për të tretin mandat rradhazi.

Kjo përgjegjësi historike bëhet edhe më komplekse nën dritën e zhvillimeve ndërkombëtare, duke na imponuar orientim dhe veprim në lartësinë që kërkon koha. Thënë ndryshe, jemi para përgjegjësisë së pashmangshme për ta tejkaluar veten, në rrafshin personal si qytetarë; në atë publik si socialistë; dhe si forcë politike në qeverisje.

Jemi dëshmitarë sesi bota ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë dekadës së fundit. Vendosja në sprovë e politikave tradicionale, vlerave të demokracisë liberale, krizat financiare dhe ato të sigurisë, Pandemia, dhe veçanërisht agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, kanë ndryshuar natyrën e jetesës e konceptimin e të ardhmes.

Përballë këtij realiteti ne duhet të jemi gati t’i paraprijmë ndryshimeve që çojnë në përmirësimin e shoqërisë, duke përmirësuar veten.

Pavarësisht këndvështrimeve e bindjeve tona politike, apo nivelit të angazhimit publik, jeta jonë është e ndikuar pashmangshëm dhe në mënyra të ndryshme nga politika, rezultatet dhe dështimet e saj. Ndaj, do të veçoja disa çështje që mendoj se janë të një rëndësie të veçantë për momentin që po kalojmë.

E para është çështja e aktivizmit politik, pa të cilin demokracia rresht së funksionuari. Aktivizmi politik është gjaku që i jep jetë dhe kuptim një shoqërie demokratike. Është rojtari më i mirë i demokracisë dhe shërbimi më i mire që i bëjmë vetes, fëmijëve tanë dhe vendit, pavarësisht diferencave ideore dhe programatike.

Për mua politika është jeta nën një lente zmadhuese, ndonëse me shumë zhgënjime, e gëzime sa hap e mbyll sytë, dhe me sprova të vazhdueshme. Vetëm sinqeriteti dhe ndjenjat e thella e të vërteta e bëjnë të mundur të kapërcehet çdo vështirësi. Ndjeshmëria njerëzore nuk është aspak në kontradiktë me angazhimin politik në nivelin më të lartë. Përkundrazi, është një parakusht i domosdoshëm.

Nëse duam vërtet të ndryshojmë veten dhe shoqërinë tonë drejt një sistemi më demokratik që krijon kushtet më të mira për zhvillimin e individit dhe shoqërisë, atëhere na duhet patjetër politika.

Hannah Arendt thoshte se “Arsyeja e ekzistencës së politikës është liria dhe fusha e akumulimit të saj është veprimi”. Kur heqim dorë nga ushtrimi i veprimit demokratik, ne humbasim jo vetëm lirinë tonë, por edhe mundësinë për të jetuar bashkë në harmoni.

Në kohën tonë, indiferenca politike apo abstenimi në veprim është i dëmshëm për një demokraci funksionale. Sidomos tani që kanalet e informimit dhe të influencimit, si mediat sociale, janë një realitet i përditshëm.

Në tre dekada aktivizmi politik në Shqipëri ka kaluar në një trajektore komplekse mes idealizmit, dëshirës, pamundësisë, meritokracisë, katapultimit e pragmatizmit. Shpesh, angazhimi në politikë dhe anëtarësia në një parti shihet si mundësi për një vend pune në shtet, dhe jo si mekanizëm për të pasuruar vlerat dhe veprimin politik e shoqëror.

Ideologjitë dhe programet politike nuk duhet të shihen si të rrezikshme. Edhe pse jetojmë në një kohë, të cilës i mungojnë këto ide, dhe shumëçka vërtitet rreth politikës së pushtetit dhe mendjengushtësisë teknokratike, ne na duhet ta pasurojmë ligjërimin të bazuar në bindje politike.

Si familja më e madhe politike në Shqipëri kemi përgjegjësinë ta bëjmë politikën më tërheqëse, sidomos për brezin e ri, si përmbushje e detyrës tonë ndaj Shqipërisë. Politika bëhet tërheqëse kur ajo ka aspirata të bazuara në vlera. Që përfshirja të jetë aspiratë, jo vetëm përfitim. Partia duhet të shërbejë si bashkim vlerash në një mision fisnik që kërkon edhe sakrifica. Por, vetëm kur dihet destinacioni mund të flitet për rrugën!

Përfshirja e mirëmenduar e qytetarëve në politikbërje krijon kushte për një proces politik të bazuar në vlera dhe programe politike, ku e mira publike afatgjatë vendoset mbi të mirën personale afatshkurtër. Kapilarizimi i ideve tona, edhe ato përtej të majtës dhe të djathtës tradicionale, duhet të krijojë një lidhje organike midis politikanit dhe qytetarit.

Mekanizma si “Këshillimi Kombëtar” janë një instrument i rëndësishëm ndërveprimi, ku secili mund të jap kontributin e tij në orientimin e politikave të mirëqeverisjes. Por, ne si forcë politike e kemi për detyrë që zërin e shoqërisë që vjen nëpërmjet këtyre mekanizmave ta jetësojmë, jo vetëm si raport besimi dhe ndërveprimi, por edhe si bashkëpërgjegjësi për vendin.

Ne jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia jonë për Shqipërinë është më e madhe sesa mundësia jonë, ndaj na duhet një parti që graviton rreth boshtit të vlerave dhe ideve programore, e jo rreth peshës së pushtetit.

*

Aktivizmi politik dhe krijimi i kushteve për dialog nuk mund të kuptohet pa parti që shërbejnë si organizma rigjenerues, jo vetëm të politikës por të mbarë shoqërisë. Dhe kjo është çështja e dytë për të cilën dëshiroj të flas.

Kujdesi për demokratizim të vazhdueshëm është me rëndësi jo vetëm për rifreskimin e trupës politike, por edhe për krijimin e një plejade të re politikanësh dhe të “mendjeve të reja politike”.

Shndërrimi i aderimit në parti nga instrument për përfitim personal në përkatësi bindjesh, kërkon që partia të shërbej edhe si platformë mendimi dhe debati, ku misioni është e mira e vendit dhe qytetarëve. Na duhet angazhim dhe diskutim rreth ideve politike, rreth kompleksitetit dhe dobësisë së tyre, si busull për orientimin e veprimit politik. Kjo do të mundësonte një shoqëri më demokratike, më të drejtë dhe më të barabartë.

Forcimi i demokracisë së brendshme nënkupton gjithashtu identifikimin e kushteve dhe mbrojtjen e themeleve të saj. Udhëhiq vendin siç udhëheq veten, këtë presin të gjithë sot. Ky element krijon një raport të ri me të vërtetën dhe drejtësinë, me veten dhe shoqërinë.

Për shembull, këtë raport me të vërtetën e kemi treguar duke hedhur themelet e drejtësisë së re, ku kemi udhëhequr nëpërmjet forcës së shembullit dhe jo shembullit të forcës. Ne jemi të parët që kemi shembur mitin e pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta të politikës. Tani sfida jonë e radhës është si ta përhapim drejtësinë në të gjitha sferat e aktiviteteve në shoqëri, për ta kthyer atë, në frymë qeverisëse. Atëherë do të arrijmë ta vendosim theksin te vlerat që prodhon shumica në shoqëri, dhe jo te përfitimet që merr pakica.

PS duhet të jetë alternativa më e mirë, jo e keqja më e vogël. Ajo duhet të rrezatojë shembullin më të mirë të demokratizmit të brendshëm dhe të organizimit politik kapilar. Një parti që lexon qartë nevojat e shoqërisë, e që di t’i brendësoj ato në veprimin politik e qeverisës. Një parti ku identiteti politik dhe besimi te vlerat e lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit janë të trupëzuara në të gjitha nivelet.

Si forca që drejton vendin në mandatin e tretë radhazi, ne duhet të mos biem në kurthin e vetkënaqësisë, që çon në rrudhje, inerci dhe apati, fenomene këto që fitojnë epërsi kudo ku rrjedha e përgjithshme demokratike humb orientimin e saj.

Po kështu, situata e pazakontë që po përjeton opozita duhet të na shqetësojë, sepse jeta politike në një Republikë parlamentare nuk funksionon normalisht pa patur alternativë përkundrejt shumicës.

Unë besoj se Shqipëria do të ishte në pararojën e vendeve të rajonit në procesin e anëtarësimit në BE, mbase edhe anëtare me Bullgarinë, Rumaninë e Kroacinë, nëse do të kishim krijuar kushtet për një klimë më përbashkuese politike, në këto tre dekada.

Për fatet e përbashkëta të Atdheut fjala kompromis nuk duhet konsideruar kurrë as si pazar i rëndomtë e as fjalë e ndyrë.

Me opozitën, ne nuk kemi nevojë të jemi të ndarë, por të ndryshëm. Opozita është mekanizmi i balancimit real, jo i përjashtimit apo përplotësimit formal.

Vetëm kështu do të mundet që trashëgimia jonë, të jenë gjenerata me qytetarë e politikanë të përgjegjshëm, të farkëtuar nga proceset demokratike brenda dhe ndërpartiake. Vetëm kështu do të mund të qeverisim pa sunduar, për një Shqipëri ku ja vlen të jetosh!

**

Motra dhe vëllezër,

Jo shumë larg nesh, në Ukrainë, paqja, liria, demokracia dhe sovraniteti, janë nën agresion. Deri dje ishim mësuar me një rend botëror që funksiononte sipas devizës “Kurrë Më”! Kurrë më nuk do kishte genocid e krime lufte. Kurrë më kombe të mëdha nuk do të fshinin nga harta kombe më të vogla.

Kush do ta kishte menduar këtë luftë në Europë pas luftrave të përgjakshme në ish-Jugosllavi? Kush do të kishte imagjinuar një eksod tjetër biblik në Europë, pas pasaj çka pësuan motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë? Pas Luftës së Ftohtë kemi qenë dëshmitarë të një përplasjeje midis vlerave liberale, nga njëra anë, dhe nacionalizmit, nga ana tjetër. Besimi ne histori na ushqeu bindjen te triumfi i vlerave demokratike.

Mirëpo, populli i Ukrainës dhe lufta e tij po na tregon se të dy këto koncepte mund të bashkëjetojnë. Ukrainasit i tejkaluan ndasitë politike, sapo filloi lufta dhe rrokën armët për të luftuar për sovranitetin, lirinë, demokracinë dhe dinjitetin e tyre. Ata po tregojnë se është e mundur të jesh edhe patriot edhe të besosh në një shoqëri të hapur e demokratike. Nga ana tjetër, ukrainasit po na tregojnë se liria dhe demokracia nuk janë të garantuara një herë e përgjithmonë.

Deri para pak kohësh edhe ne e merrnin sigurinë të mirëqenë. Por sot jemi me të vetëdijshëm se kjo luftë mund të zgjasë, ndaj po fuqizojmë edhe më tej partneritetin tonë euroatlantik, duke shtuar investimet për sigurinë në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Nuk është rastësi që ne shqiptarët, krahas aletëve tanë, jemi rreshtuar në anën e duhur të historisë. Tashmë jemi spiranca e stabilitetit dhe rrezatojmë vlerat euroatlantike në rajon. Prandaj, duhet të ndjehemi krenar për vendin dhe të kemi më shumë besim te vetja.

Ndonëse nuk jemi në vijën e parë të luftës, ne jemi të prekur si e gjithë Europa, nga efektet anësore të saj. Ndaj, po përkujdesemi që pasojat të jenë sa më pak të ndjeshme, sidomos për shtresat në nevojë të shoqërisë.

Tërmeti dhe Pandemia treguan se kemi energji dhe aftësi të udhëheqim edhe në kohë krize. Gjithashtu, tërmeti dhe Pandemia ridimensionuan marrëdhnien tonë me komunitetin, urbanizimin, mjedisin, teknologjinë, liritë themelore, duke dëshmuar më shumë mirëkuptim e solidaritet mes nesh.

Në këtë kontekst, pasojat e luftës, duhet t’i shohim edhe si një mundësi për hapjen e shtigjeve të reja, në funksion të përqafimit të politikave zhvillimore për energjinë, mjedisin, mobilitetin shoqëror dhe ekonominë në përgjithësi.

**

A kemi bërë gabime dhe jemi rrëzuar rrugës? Natyrisht që po. A kemi patur fuqinë të korrigjojmë veten dhe kemi ditur të ngrihemi? Padyshim që po. Këto kohë më kujtojnë thënien e Albert Kamysë se “forca e zemrës, zgjuarsia dhe guximi mjaftojnë për ta mposhtur fatin”.

E pra, le të na shërbejë ky moment për të patur më shumë besim tek vendi ynë dhe te aftësitë tona. Për të besuar se ëndrra e shqiptarit nuk është braktisja e vendit, dhe se cinizmit e mosbesimit të atyre që thonë se ky vend nuk bëhet, t’i përgjegjemi me më shumë përkushtim, dashuri e besim: Po, do të bëhet! Do të bëhet duke investuar më shumë për sigurinë, duke u përkujdesur që askush të mos mbetet pas dhe duke çliruar energjitë pozitive të një populli që qëndron bashkë në rrugën drejt zhvillimit.