Argjentina e theu serinë e pathyeshmërisë në mënyrën më të keqe. Humbja 1-2 me Arabinë Saudite ka lënë në dëshpërim Lionel Messi e të tjerët me teknikun Scaloni në krye. Pleshti, është ai që ka vënë fytyrën e tij në humbjen tronditëse të debutimit. “Është një goditje e rëndë për të gjithë, nuk e prisnim të fillonim kështu. Por gjërat ndodhin për një arsye. Duhet të përgatitemi për ndeshjet që do të vijnë. Duhet të fitojmë patjetër dhe kjo varet nga ne”. Messi e komentoi kështu humbjen e bujshme me Arabinë Saudite në Katar2022: “Nuk ka justifikime pas kësaj humbje. Duhet të kthehemi të jemi vetvetja, të jemi më të bashkuar se kurrë. Ky grup është i fortë dhe e ka treguar, tani duhet të kthehemi të dëshmojmë se jemi një grup i vërtetë”.

SCALONI: “DITË E TRISHTË, POR DUHET TË ECIM PARA”

“Është një ditë e trishtë, por ne duhet të vazhdojmë përpara. Mendoj se pjesa e parë ishte e gjitha e jona. Në pushim thamë se ndeshja ishte e çuditshme, se një gol mund të ndryshonte gjithçka dhe ashtu ndodhi. Ata na barazuan dhe në aksionin pauses ishte 2-1”. Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka komentuar kështu humbjen në debutimin e tij në Botëror. “Ne e respektojmë Arabinë Saudite 100% siç i respektojmë të gjithë. E përsëris edhe një herë se ishte një ekip i mirë, me lojtarë të aftë. Ajo që vjen më pas është të ecim përpara, të përballemi me një rival të vështirë si Meksika. Kjo është ajo që do të përpiqemi të bëjmë, janë ndeshje për tu fituar”, shtoi trajneri. “Por është futbolli, Kupa e Botës dhe kompeticionet e mëdha, që i bëjnë këto gjëra. Nuk ka kohë për gabime. Ka ndodhur kështu dhe në momentin më të keq. Nuk ka lexim tjetër, tani të ngrihemi dhe të fitojmë të dyja ndeshjet,” shpjegoi sërish trajneri. “Humbja nuk është kurrë e bukur, mbi të gjitha është ndjesia se loja na ka rrëshqitur nga duart. Nuk zgjedh kur të humbësh, për fat kemi edhe dy ndeshje përpara”, përfundoi Scaloni.

SHTYPI ARGJENTINAS PAS HUMBJES: “UN GOLPE MUNDIAL”

“Un golpe mundial’. Kështu e titullon gazeta sportive argjentinase Ole’, në faqen e saj, humbjen e kombëtares së Leo Messi ndaj Arabisë Saudite. “Tani Argjentina nuk ka më marzh gabimi për të kërkuar 1/8”, nënvizon e përditshmja sportive. “Goditje e fortë për Argjentinën, Arabia Saudite ka habitur botën”, shkruan Clarin.