Rritja e peshës në shumicën e rasteve ka një shpjegim mjaft të thjeshtë – konsumoni shumë kalori nga ushqimi dhe pijet, ndërsa aktiviteti juaj fizik zvogëlohet në krahasim me nivelin e mëparshëm, gjë që rezulton në një tepricë kalorike dhe rrjedhimisht një rritje të peshës trupore.


Për një peshë trupore optimale, gjëja më e rëndësishme është raporti i saktë i marrjes së ushqimit dhe shpenzimit të energjisë, por nëse bëjmë gjithçka si zakonisht – ushqehemi shëndetshëm dhe stërvitemi rregullisht, kurse kilogramët vazhdojnë të grumbullohen – atëherë arsyeja e shtimit të pashpjegueshëm të peshës mund të fshihet diku tjetër.

 

Barna të caktuara
Medikamentet e ndryshme që përdorni mund të shkaktojnë shtim të papritur në peshë. Pilulat e kontrollit të lindjes, steroidet, beta-bllokuesit ose ilaçet e migrenës, mund të shkaktojnë shtim në peshë. Domethënë, ato funksionojnë duke rritur oreksin dhe duke ngadalësuar metabolizmin, gjë që është arsyeja kryesore për të shtuar peshë pa e tepruar me ushqim apo pa bërë ndonjë gabim tjetër.

 

Nëse vëreni se pesha juaj ndikohet nga ilaçi që po merrni, nutricionistët këshillojnë që t’i kërkoni mjekut t’ju përshkruajë një lloj tjetër ilaçi pa efekte të tilla anësore, sigurisht nëse është e mundur.

Menopauza
Gjatë menopauzës, metabolizmi i pothuajse të gjitha femrave ngadalësohet, ato janë më të dëshpëruara, kanë gjumë më të keq dhe u rritet oreksi. Hormoni estrogjen, i cili shërben edhe për të mbajtur një peshë trupore optimale, ngadalë zhduket, ndaj kilogramët fillojnë të grumbullohen më shpejt – shpjegojnë mjekët.

Prandaj, grave në menopauzë rekomandohet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë një diete të shëndetshme dhe aktivitetit të rregullt fizik.

 

Mungesa e vitaminave ose mineraleve
Një tjetër shkak i papritur i shtimit në peshë mund të jetë mungesa e vitaminave ose mineraleve në trup. Përkatësisht, mungesa e vitaminës D, magnezit dhe hekurit, mund të kërcënojë imunitetin dhe të ndikojë në nivelin tuaj të energjisë, dhe rrjedhimisht në aktivitetet tuaja.

Nëse nuk keni energji për një mënyrë jetese të shëndetshme dhe ushtrime, kilogramët e tepërt do të grumbullohen më lehtë dhe ekspertët këshillojnë që nëse dyshoni për mungesë vitaminash apo mineralesh në organizëm, nuk do të ishte ide e keqe të kontrolloni nivelin e tyre në gjak.

 

Probleme me gjumin
Nuk ka nevojë të theksohet se sa i rëndësishëm është gjumi cilësor për shëndetin mendor dhe fizik. Shumëkush nuk arrin sasinë e rekomanduar të gjumit prej tetë orësh gjatë natës, ndërsa mungesa afatgjate e gjumit është vërtetuar se ka një sërë pasojash të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Shumë studime kanë dalë me rezultate që tregojnë se mungesa e gjumit ndikon në rritjen e yndyrës në trup, në rritjen e rrezikut të obezitetit dhe zvogëlon suksesin e humbjes së peshës, edhe nëse kontrolloni marrjen e kalorive.