Kryministri Edi Rama ka bërë me dije se katër protestuesit që humbën jetën në protestën e 21 janarit 10 vite më parë, do të nderohen me titullin “Dëshmorë të Atdheut”. Në ceremoninë përkujtimore me familjarët e viktimave kreu i qeverisë njoftoi se Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj nga sot janë ”Dëshmorë të Atdheut”.

Sipas Ramës, ajo ngjarje e hidhur ka ndikuar në historinë dhe rrugëtimin e qeverisë socialiste në dy drejtime: si për marrëdhënien mes qeverisë dhe protestave ashtu edhe në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë.