“Kemi ndryshuar për mirë, prodhojmë raste dhe nuk shthuremi. Kemi qenë në lojë deri në fund. Për mua janë 13 ndeshje finale dhe jo vetëm ndeshja e Korçës. Të jemi pak më të qetë dhe të dalim nga kjo situata sa më shpejt dhe të mos kemi kokën tek renditja por të shikojmë lart”. Bledar Devolli kërkon ta shohë gotën gjysëm plot, edhe pse rezultatet trgojnë krejt të kundërtën. Në pankinën e bluve ai nuk njeh fitore në pesë ndeshjet në detyrë, ndërsa kriza e Dinamos zgjat edhe më shumë, me fitoren që mungon në apel që prej 8 ndeshjesh. Vështirë të gjesh ndryshim për mirë në këto shifra e megjithatë Devolli është optimist, pavarësisht planeve që iu prishën në Loro Borici: “E kishim përgatitur ndryshe ndeshjen. E kishim përgatitur me dy lojtarë të shpejte dhe Ibraimin si 9 false. Besoj se e kapëm Vllazninë disa herë, por goli i dytë na prishi planet. I provuam të gjitha, por kundërshtari është i fortë në fushën brenda”.

Vendmitar ka qenë episodi i 11 metërshit, në të cilin tekniku i Dinamos ka edhe keqardhjen më të madhe, në kohën kur skuadra e tij dukej sikur kishte impaktin më të mirë me ndeshjen: “Kisha dy minuta që i flisja Prodanit tek rasti, por këto gjëra ndodhin. E nisëm mirë ndeshjen – tregoi Devolli, që shtoi -. Duhet të bëjmë atë që bëmë në pjesën e dytë. Herën e parë që erdhën në portë, morën penallti, po ashtu si në golin e dytë. Krijuam rastet dhe jo çdo ekip e ka mbajtur Vllazninë në 16 metrat e tyre. Është dhe ana psikologjike dhe ne si staf drejtues do punojnë në këtë aspekt. Rezultatet e kundërshtarëve ndikojnë, do vazhdojmë të punojmë me kokën poshtë dhe entuziazëm”, e mbylli tekniku.