Kreu i SPAK Arben Kraja deklaroi në Komisionin për Integrimin Europian se 80% e rasteve që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë në dorë nuk janë në dijeni se po hetohen.

Kraja deklaroi se gjatë vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022 vijojnë hetime për persona me funksione të larta shtetërore, megjithatë nuk pranoi të japë emra konkretë.

“Kjo është e shkruar në ligj unë do respektoj ligjin që keni miratuar ju. Ne i jemi referuar gjithmonë zbatimit të rekomandimeve për vitin 2021. Rekomandimet janë dhënë në tetor dhe dhjetor për fushën e prokurorisë kundër korrupsionit. Gjatë vitit 2021 dhe fillimit të këtij viti janë kryer hetimet dhe po hetohen persona me funksione të larta shtetërore.

SPAK ka në fokusin e saj zbatimin e rekomandimeve. Po të referohemi më saktësisht në rekomandime thuhet se duhen garantuar zbatimi i ligjit. Jemi munduar të kryejmë sa më shumë hetime. Kemi bashkëpunuar me struktura ligjzbatuese brenda vendit.

Koncepti i hetimit proaktiv nuk është vetëm fillimi i hetimit kryesisht por që ti të hetosh pa e ditur tjetri që po hetohet. 80% e rasteve që kemi në dorë janë hetime proaktive. Në mënyrë të detajuar unë i kam dhënë shifrat. Janë dërguar për gjykim 11 procedime penale. SPAK dhe Prokuroria e Hetimit janë të përkushtuar për të hetuar çdo rast”, tha Kraja.