Mauricio Pochettino te Manchester United dhe Zinedine Zidane te PSG. Ky është zëri më i bujshëm i merkatos që qarkullon në Angli. Sipas Daily Mail, trajneri argjentinas nuk është i lumtur në Paris, ku jeton në një hotel pa familjen e tij dhe është i lodhur nga një dhomë zhveshjeje e përçarë dhe plot ego. Vendin e tij, sipas BBC, do ta marrë menjëherë Zinedine Zidane, i cili nuk është i interesuar të zëvendësojë Solskjaer në Old Trafford.

Pochettino është një fiksim i vjetër i familjes Glazer, të cilët kishin menduar për të edhe në 2018 për të zëvendësuar José Mourinho, për të zgjedhur më pas Solskjaer, i shkarkuar të dielën pas dështimit kundër Ëatford. Ish-tekniku i Tottenham, sipas të dhënave, është i lodhur duke menaxhuar një dhomë zhveshjeje të dominuar nga personalitete të forta, dhe shpesh në kontrast me njëri-tjetrin, si Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappe.

Një operacion jo i lehtë, sepse PSG duhet të kërkojë menjëherë një zëvendësues. Kështu në skenë hyn Zidane, shumë i ngacmuar nga mundësia e stërvitjes nën Kullën Eifel, ndërkohë që nuk dëshiron aspak të ketë të bëjë me projektin e United, pavarësisht pranisë së Ronaldos dhe Varane, me të cilët triumfoi në kohën e Real Madrid.