Pas Facebook dhe Instagram, Trump i mbyllet edhe llogaria në Twitter. Vendimi u mor përgjithmonë duke vlerësuar se Trump ende rrezikon të nxisë dhunë përmes mesazheve në rrjetet sociale, megjithëse ai ka premtuar publikisht se do të garantojë një kalim pushteti paqësor.  Në mesazhin e fundit në Twitter, Trump tha se nuk do të merrte pjesë në ceremoninë e betimit të Biden në 20 Janar, ndërsa në ditën e mësymjes në Capitol Hill ai i quajti “patriotë” njerëzit që hynë dhe ndaluan me dhunë seancën e Kongresit. Trump është i njohur për varësinë e tij nga Twitter përmes të cilit komunikon vazhdimisht me ndjekësit e tij.

Donald Trump u përpoq t’i përgjigjej ndalimit të tij personal në Twitter përmes adresës zyrtare @POTUS, duke këmbëngulur se ai nuk do të ‘heshtte’ .

Presidenti u fut në llogarinë e tij qeveritare në Twitter të premten, disa orë pasi platforma ndaloi përgjithmonë adresën e tij personale @realDonaldTrump, duke bërë që njerëzit ta kritikonin faqen e mediave sociale për kufizimin e fjalës së lirë, ndërsa promovonte ideologjinë e ‘së majtës radikale’.