Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk mund të mbetet peng nga Maqedonia e Veriut, e si rrjedhojë do të ndryshohet kurs. Kjo ka nxitur reagimin e deputetëve të opozitës të cilët i konsiderojnë këto deklarata si ‘skandalizuese’ dhe ‘antieuropiane’.

Për këtë arsye, gjatë një deklarate për mediet, ish-kryeministri Sali Berisha ka firmosur ‘live’ një kërkesë urgjente drejtuar Kuvendit për një mocion me debat për çështjen e integrimit europian.

 

“Zonja Kryetare, siç është bërë e ditur nga mediat, Kryeministri Edi Rama sot në Bruksel është shprehur:  Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, sic e kemi thënë dhe sic e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata”. Ne, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, e gjejmë këtë deklaratë të Kryeministrit Edi Rama skandaloze, turpëruese e keqdashëse, në dëm të të ardhmes europiane të qytetarëve shqiptarë.

Thellësisht të shqetësuar, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, po dorëzojmë këtë kërkesë për mocion me debat publik URGJENT në Kuvend në lidhje këto deklarata antieuropiane e të rrezikshme të Kryeministrit Edi Rama në Bruksel. Neni 98, pika 2 e rregullores kërkon mbledhjen brenda tre ditësh të Konferencës së Kryetarëve nga ana e Kryetares së Kuvendit për vendosjen e datës së zhvillimit të mocionit në seancë plenare.

Por meqenëse bëhe fjalë për një çështje të një rëndësie jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, kërkojmë nga ana juaj mbledhjen URGJENTE, brenda ditës së premte datë 13.05.2022 të Konferencës së Kryetarëve dhe thirrjen e Parlamentit në seancë plenare të jashtëzakonshme ditën e hënë datë 16.05.2022 ku të debatohet rreth cështjeve të integrimit European dhe të shprehet edhe një herë vullneti për rrugën pro europiane të Shqipërisë në BE”, thuhet në kërkesë.