Presidenti Ilir Meta tha se nuk do të ketë asnjë rol në zgjedhjet e pjesshme vendore më 6 mars, por do t’i rikthehet betejave politike sapo të përfundojë mandatin më 24 korrik të këtij viti.

Ai i quajti “kurthe diletantësh” deklaratat e kryeministrit Rama se në këto zgjedhje do të ketë përballë edhe kreun e shtetit. “Presidenti Ilir Meta as nuk ka marrë as nuk dot ë marrë pjesë në asnjë garë politike partiake, deri më 24 korrik. Sigurisht kemi bërë një premtim që pas 24 korrikut do të bashkëbisedojmë me popullin heroik dhe sovranist të 2 marsit. Të gjithë ata që i ka marrë malli të ballafaqohen me Ilir Metën do ta kenë këtë mundësi shumë shpejt”, tha Meta pasi bëri homazhe në shtatoren e Ismail Qemalit me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij.

Meta tha se këto zgjedhje janë një mundësi për të treguar se ka opozitarizëm në vend. “Deri më 25 prill nuk kishte fare opozitë. Tani, sidoqoftë kemi disa deputetë të angazhuar për të përmbushur misionin e opozitarizmit në vend. U bëj thirrje të gjithëve të punojnë për të rivendosur integritetin e votës së lirë. Ne presim dhe duhet të punojmë edhe për çeljen e negociatave me BE brenda këtyre 6 muajve. Këto zgjedhje janë një mundësi për të lënë pas shkrirjen e shtetit me partinë, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, sipas raportit të OSBE/ODIHR-it”.