vv

TIRANE – Mungesat e deputetëve të PS-së në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si edhe nëpër seanca, degjeneruan dje në debat, mes kreut të grupit Gramoz Ruçi e deputetit të qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima. Burimet nga mbledhja e grupit parlamentar socialist thanë për “Gazeta Shqiptare” se, qysh në fillim të mbledhjes, kreu i grupit ka lajmëruar për të disatën herë deputetët të jenë të pranishëm dhe aktivë nëpër këto mbledhje, për të mos krijuar probleme me funksionimin e Kuvendit dhe kalimin e ligjeve në seanca.

Adresimi i problemit është bërë pa emra konkretë nga kreu i grupit, ndaj, deputeti Kokëdhima është ngritur dhe ka kërkuar që ai të flasë me emra. Aty për aty, Ruçi i ka komunikuar se ai është një nga deputetët që mungon dhe nuk lajmëron, sipas rregullave të caktuara brenda grupit. Ruçi u ka kujtuar deputetëve se ai detyrohet t’i kërkojë sekretares të kërkojë deputetët nëpër kafene, kur duhet të votohen projektligjet në seancë, problem ky që u shkrua edhe në media, javën që shkoi.

Në diskutim e sipër, Kokëdhima ka shprehur edhe kundërshtitë e tij, në lidhje me ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai ka propozuar që të rregullohet pjesa që parashikon mandatin e kreut të këtij institucioni. Por, në sqarimin që i ka dhënë kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, ky i fundit theksoi se projektligji u miratua edhe nga Komisioni i Ekonomisë dje, ndaj tashmë nuk ka më kohë për rregullime.

Sipas asaj çfarë u miratua në këtë komision, Kontrollit të Lartë të Shtetit i jepet e drejta që të marrë informacionin e kërkuar prej drejtorisë së tatimeve, përveç ndërhyrjes në vetëdeklarime të bizneseve. Më tej, Kokëdhima i është drejtuar Ruçit, që të mos i flasë atij sikur është nxënës. Por përgjigjja e Ruçit ka qenë e menjëhershme. Kreu i grupit është shprehur se as ai nuk ka pse të sillet si mësues. “Ti je deputet si të gjithë të tjerët dhe duhet të kryesh detyrat si gjithë të tjerët, se nuk po i kryen”, mësohet t’i ketë kthyer përgjigje Ruçi Kokëdhimës. Çështja e mungesave të deputetëve është prekur pothuaj në çdo mbledhje të grupit socialist. Pritet që tashmë të bëhet gati rregullorja e re e grupit, një lloj kodi etike, të cilin do të duhet ta zbatojnë me rigorozitet të gjithë deputetët. Por, ende drafti nuk është paraqitur në grup.

Ndërkohë, deputetët diskutuan dje, edhe për seancën e ditës së enjte, ku në fakt nuk janë parashikuar të kalojnë shumë ligje. Kështu pritet të kalojë projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Një tjetër projektligj është ai “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore”. I fundit është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”.