“Sigurisht që më dhemb. Praktikisht e humbëm lojën për shkak të asaj që bëra. Në mendje, unë nuk duhet të kisha bërë topin të kërcente”. Mattijs de Ligt nuk gjen paqe, i ndëshkuar me karton të kuq për një prekje të topit me dorë në minutën e 55 të sfidës për 1/8 mes Hollandës së tij e Republikës Çeke, kur rezultati ishte ende 0-0, duke lënë Portokallinjtë me 10 lojtarë për të gjithë pjesën e dytë. Një episod që i kushtoi shtrenjtë kombëtares së tij. “Mendova se e kishim ndeshjen nën kontroll. Kishim pak mundësi, veçanërisht në pjesën e parë. As që ndieja se kishin krijuar shumë raste. Por kartoni i kuq padyshim bëri ndryshimin,” shtoi mbrojtësi i Juventus.

“Ata ishin kundërshtarë të fortë, por unë mendova se ishim më mirë deri në kartonin e kuq. Ne e dominuam lojën.” Ky është edhe opinioni i teknikut Frank De Boer mbi humbjen ndaj Republikës Çeke. “Dumfries shkoi pranë golit dy herë në pjesën e parë, ashtu si van Aanholt. Por ndeshje si kjo vërtiten rreth një ose dy momenteve. Ne patëm një me Malen dhe disa sekonda më vonë mbetëm me 10. E gjëja më e keqe që mund të bësh kundër një ekipi si ky cek është të qëndrosh me një më pak. Kështu ata patën mundësinë të luanin siç dëshironin” përfundoi De Boer.