Ky që është duke nisur do të jetë sezoni i shtatë i Pep Guardiolës në pankinën e Manchester City, një hark kohor kaq i gjatë sa që në futbollin e sotëm është më shumë një përjashtim sesa normal. Nga viti 2016 e deri më sot, shumë lojtarë kanë kaluar nga Etihad Stadium gjatë fushatave faraonike të blerjeve nga pronësia e klubit, praktikisht një organikë e tërë lojtarësh. Dhe në fakt, që nga dita e parë e Guardiolës në Mançester e deri më sot, ka vetëm një “të mbijetuar”: Kevin De Bruyne.

Kevin De Bruyne e ka veshur fanellën e Citizens që nga viti 2016, pikërisht nga viti para ardhjes së Guardiolës dhe siç shpjegon The Sun, ai është i vetmi i mbijetuar i formacionit të gjetur nga trajneri spanjoll me ardhjen e tij në Angli. Pas shitjeve të Sterlingut dhe Fernandinhos, në fakt nuk ka mbetur askush nga ajo skuadër e 7 viteve më parë, përveç mesfushorit belg. Vetë lojtari ka rrëfyer se ky detaj nuk e lë indiferent: “Po, e pashë atë foto… Do të thotë se po plakem! Kështu janë gjërat: Unë kam qenë në klub për shtatë vjet, Pep ka qenë këtu prej gjashtë. Në futbollin e sotëm është një kohë e gjatë. Por jam shumë i kënaqur me atë që po bëj këtu”.

De Bruyne, një far i vërtetë i mesfushës së City, ka parë shumë lojtarë të kalojnë: “Gjithçka ka ndryshuar shumë që nga ardhja e Pep, është e çuditshme të shohësh se tani jam vetëm unë”, vazhdoi ai. “Edhe këtë vit kemi ndryshuar shumë dhe është e trishtueshme që janë larguar disa lojtarë me të cilët kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Nga njëra anë, e kuptoj se gjërat janë të tilla në futboll, nga ana tjetër, më vjen keq që i shoh ata që largohen. Ndonjëherë duhen ndryshime, por në raste të tjera është mirë të kesh gjithmonë të njëjtët bashkëlojtarë pranë vetes”, përfundoi ai.