Shqipëria rezulton vendi që ka pagën minimale më të ulët në Europë, sipas një publikimi të sotëm të Eurostat, për të dhënat që i referohen tremujorit të dytë të vitit 2020. Në nivelin e 210 eurove, paga minimale është më e ulët se në Serbi (344 euro), Mal të Zi (331 euro) dhe në Maqedoni, (282 euro, që i referohet fundit të 2018-s). Nga 1 janari, paga minimale në vend është rritur në 30 mijë lekë, apo rreth 240 euro, por sërish vijon të mbetet më e ulëta në Europë. Rritja e pagës minimale është vënë në qendër të fushatës elektorale të partive politike në prag zgjedhjesh, ndërsa bizneset shpesh janë ankuar se kjo është një kosto shtesë për ta, për sa kohë që është e sforcuar dhe nuk vjen nga rritja e produktivitetit të ekonomisë dhe sipërmarrjeve.

Në janar 2021, dhjetë shtete anëtare, në lindje të BE-së, kishin paga minimale * nën 700 € në muaj: Bullgaria (332 €), Hungaria (442 €), Rumania (458 €), Letonia (500 €), Kroacia (563 €), Çekia (579 €), Estonia (584 €), Polonia (614 €), Sllovakia (623 €) dhe Lituania (642 €). Pesë shtete të tjera anëtare, kryesisht në jug të BE-së, pagat minimale varionin nga 700 € dhe pak më shumë se 1 100 € në muaj: Greqia (758 €), Portugalia (776 €), Malta (785 €), Sllovenia (1 024 €) dhe Spanja (1 108 €). Gjashtë shtetet e tjera anëtare, të gjitha në perëndim dhe veri të BE-së, pagat minimale ishin mbi 1 500 € në muaj: Franca (1 555 €), Gjermania (1 614 €), Belgjika (1 626 €), Holanda (1 685 €), Irlanda (1 724 €) dhe Luksemburgu (2 202 €).

Sipas Eurostat, pagat minimale mund të maten gjithashtu në terma relativë, d.m.th. në raport me të ardhurat mesatare. Bazuar në të dhënat e fundit të disponueshme nga Anketa e Strukturës katërvjeçare të Fitimeve, në vitin 2018 pagat minimale përfaqësuan mbi 60% të fitimeve mesatare mujore bruto në vetëm katër Shtete Anëtare: Franca (66%), Portugalia (64%), Sllovenia ( 62%) dhe Rumania (61%). Në të kundërt, pagat minimale ishin më pak se gjysma e fitimeve mesatare në gjashtë shtete anëtare: Kroacia, Çekia dhe Letonia (të gjitha 49%), Spanja (44%), Malta (43%) dhe Estonia (42%)./Monitor