Cristiano Ronaldo po hetohet nga policia italiane për shkak të një udhëtimi që mendohet se e bëri për të festuar ditëlindjen e të dashurës së tij, Georgina Rodriguez. Ai akuzohet për thyerje të rregullave anti-Covid, duke udhëtuar midis rajoneve të Piemontes dhe Valle d’Aostas.

Pamjet e fshira tani, të postuara në mediat sociale, treguan se çifti ishte në një makinë dëbore në një vendpushim malor, të njëjtën ditë që Georgina Rodriguez mbushi 27 vjeç.

Ndërkohë Italia po përballet me qindra vdekje dhe mijëra infeksione çdo ditë dhe masat anti-Covid janë ende në fuqi. Policia e Valle d’Aostas tha se po hetonin çiftin për udhëtimin në vendpushimin e skive Courmayeur.

Sipas rregullave aktuale në Itali, udhëtimi midis “zonave portokalli” të Covid është i ndaluar, përveçse nëse kryhet për arsye pune ose për të udhëtuar në një shtëpi të dytë.

Raportimet në mediat italiane pretendojnë se dyshja udhëtoi të martën dhe qëndroi gjatë natës në një hotel turistik përpara se të kthehej në Turin. Rodriguez më vonë ndau një postim me 23 milionë ndjekësit e saj, ku ata festonin në shtëpi me familjen e tyre.

Nëse vërtetohet shkelja e rregullave, çifti mund të përballet me një gjobë.

Polemikat vijnë muaj pasi Ronaldo u infektua edhe vetë me Covid-19. Në atë kohë ai u kritikua nga ministri italian i sportit për udhëtimin në Portugali pak para se të dilte pozitiv. Vincenzo Spadafora e etiketoi Ronaldon “arrogant” dhe “mosrespektues”, dhe e akuzoi atë për shkelje të protokollit Covid-19. Ndërsa futbollisti mohoi të ketë thyer rregullat.