Agjensia e Kadastrës kërkon të shtyjë me dy muaj rivlerësimin e pasurisë. Shkak për këtë këkresë mësohet të jetë situata e krijuar nga covid-19, gjatë së cilës qytetarët nuk kanë pasur mundësi të kryejnë procesin e rivlerësimit të pasurisë me tatim më të ulët. Përgjatë muajve Shkurt dhe Mars ishte parashikuar të kryhej procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që kishin nxjerrë shtëpinë në shitje ose kërkonin që të linin pasurinë kolateral në bankë.

Burime nga kadastra bëjnë të ditur për News24 se aplikimet për rivlerësimin e pasurisë nuk do të jenë deri në fund të shtatorit por do të shtyhen deri në fund të Nëntorit. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se kërkesa pritet të dorëzohet në kuvend pasi ky i fundit duhet ta miratojë këtë shtyrje. Rivlerësimi i banesave është një mundësi që qeveria e jep për herë të tretë për qytetarët, duke mundësuar që ata të paguajnë tatim në burim të pasurisë së tyre në masën 3%, nga 15% që ishte më parë. Kështu nëse një qytetar ka blerë një apartament para disa vitesh në vlerën prej 50 mijë euro por sot e shet atë 70 mijë euro, atëherë ai duhet të paguajë një taksë 15% mbi diferencën e çmimit të shitjes me atë të blerjes.

Në këtë rast diferenca është 20 mjë euro dhe detyrimi tatimor që paguhet nga qytetari është 3000 mijë euro. Me ligjin e ri i jepet e drejta e qytetarit që të rivlerësojë banesën me cmimin e tregut duke paguar jo 15% por vetëm 3%, rrjedhimisht taksa zbret nga 3000 euro që duhet të paguhej normalisht në vetëm 600 euro, pra 5 herë më pak. Nga ky proces qeveria pret të gjenerojë 40 milionë dollarë të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit, ndërsa vlerësohet se do të jenë mbi 50 mijë pasuri që do të përfitojnë nga ulja e tatimit mbi fitimin.