Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë humbur jetën 12 persona nga COVID-19, ndërsa janë regjistruar 425 raste të reja nga 3070 teste të kryera. Në deklaratën e ministrisë sqarohet se në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 320 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

12 qytetarë që e kanë humbur betejën me koronavirusin janë përkatësisht: 4 qytetarë nga Tirana, 2 qyetetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Shkodra, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Peqini, 1 qytetar nga Durrësi të moshave 64- 83 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.

Në njoftimin e ministrisë po ashtu thuhet se në 24 orët e fundit janë shëruar 550 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 88,899 që nga fillimi i epidemisë. Njëtrajtësisht me hetimin epidemiologjik vijon edhe procesi i vaksinimit antiCOVID dhe njoftohet se gjatë ditës së sotme janë kryer 1,827 vaksinime dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 64,075 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.