Skepticizmi që kanë shumica, qëndron te besimi nëse e ardhmja do të jetë më e mirë se e kaluara ose e tashmja. Sigurisht që nuk është diçka e keqe, por ana negative është se njerëzit shpesh nënvlerësojnë rreziqet dhe nuk marrin parasysh paralajmërimet.

Kjo është, pjesërisht, ajo që ka çuar botën në këtë pikë, të papërgatitur për t’u përballur me një pandemi për të cilën njerëzimi është paralajmëruar që në vitet 1990. Shumë kombe e injoruan shkencën dhe nuk arritën të njohin natyrën e ndërlidhur të botës sonë moderne.

Epidemia e Ebolas që goditi Afrikën Perëndimore në 2014 tregoi se çdo sekondë vlen shumë kur kemi të bëjmë me epidemi dhe pandemi, dhe megjithatë  shumë e hodhën pas atë krizë sikur të mos kishte ndodhur kurrë.

Në mënyrë të pashmangshme, mungesa e gatishmërisë na bëri të dështojmë. Dymbëdhjetë muaj pas fillimit të pandemisë COVID, ende po numërohen viktimat. Dhe kjo nuk ka mbaruar ende.

Asnjë sektor nuk ishte i përgatitur të përballej me zemërimin e një virusi që përhapej me shpejtësi dhe ishte kaq vdekjeprurës. Tani, kjo duhet të shërbejë si një alarm zgjimi. Edhe në sektorin e ndihmës ku shumica janë të trajnuar për t’iu përgjigjur emergjencave, përfshirë epidemitë, njerëzit nuk ishin  të përgatitur në mënyrë adekuate për këtë pandemi.

Shumica e organizatave ndërkombëtare u përballën me pengesa të mëdha në operacionet dhe programet e tyre, duke u bërë të paaftë për të ofruar ndihmë dhe shërbime për njerëzit në nevojë.

Nëse kufizimi i lëvizjeve të vendosura nga vendet ishte një nga arsyet që shkaktoi përçarje, agjencitë e ndihmës që larguan stafin e tyre ndërkombëtar ishte një tjetër. Shumë organizata humanitare dhe të ndihmës mbështeten  te stafi i huaj për menaxhimin dhe zbatimin e tyre. Kjo qasje arkaike e varësisë nga stafi ndërkombëtar ka treguar kufizimet e saj.

Ndërsa bota vazhdon të merret me pandeminë, vazhdimi i “biznesit si zakonisht” në sektorin e ndihmës nuk mund të jetë më një mundësi. Në fakt, do të ishte një tradhti ndaj njerëzve dhe komuniteteve që kërkojnë të ndihmojnë. Askush  nuk mund të përdorë truket e vjetra për sfida të reja.

Ka sigurisht një moment për t’u shfrytëzuar dhe pandemia aktuale paraqitet si një mundësi e konsiderueshme për të përshpejtuar ndryshimet – njëra prej tyre është  investimi i mirëfilltë në kapacitetet lokale dhe kombëtare.

Kur reagojmë ndaj emergjencave dhe katastrofave humanitare, koha dhe konteksti janë kritike. Ata që janë më të afërt me popullatat e prekura nga krizat janë shpesh ata që ndodhen  në vendet më të mira për t’u përgjigjur shpejt dhe në mënyrë të përshtatshme.

Afërsia është thelbësore dhe  nuk mund të presim që stafi ndërkombëtar të “fluturojë” në një moment krize. Në Project HOPE, organizata globale e ndihmës shëndetësore dhe humanitare, punonjësit dhe agjencitë lokale të ndihmës janë reaguesit e parë ndaj çdo katastrofe.

Gjatë gjithë ndërhyrjeve, ata kanë zbuluar se punonjësit lokalë të shëndetësisë janë linja kryesore e sistemeve shëndetësore të komunitetit në të gjithë botën.

Duke mbështetur punonjësit lokalë për t’iu përgjigjur emergjencave shëndetësore, sektori i ndihmës do të jetë në gjendje të vazhdojë operacionet e tij pa u përballur me pengesa të shkaktuara nga epidemitë e ardhshme, pandemitë dhe krizat shëndetësore.

Shpërthimet e sëmundjeve infektive janë tashmë më të përhapura dhe më të vështira për t’u kontrolluar. Prandaj, bota duhet të presë kufizime të reja më të ashpra ndaj udhëtimeve dhe masa të rrepta nga kombet për të përmbajtur përhapjen e sëmundjeve infektive.

Vetëm duke investuar në punonjësit lokalë të kujdesit shëndetësor, duke ndërtuar kapacitetin e tyre dhe duke u dhënë atyre mjetet që u duhen dhe duke përmirësuar sistemet lokale shëndetësore, bota mund të forcojë mbikëqyrjen dhe përgjigjen lokale e rajonale të sëmundjes.

Kjo mund të bëhet duke u mbështetur dhe punuar së bashku me qeveritë, entitetet lokale dhe rajonale. Përveç kësaj, forcimi i sistemeve shëndetësore nuk është vetëm një përparësi e zhvillimit. Është  gjithashtu një çështje e sigurisë, siç nënvizohet në objektivat e Agjendës së Shëndetit Global të Sigurisë.

Vendet me plane të forta dhe gjithëpërfshirëse të gatishmërisë për emergjenca janë sigurisht të pajisura me mjetet e duhura për t’u përballur me urgjencat shëndetësore aktuale edhe në të ardhmen.

Me rritjen e nevojave humanitare dhe një shumë rekord prej 35 miliardë dollarësh që është kërkuar nga agjencitë e OKB-së dhe organizatat partnere për të ndihmuar 160 milion njerëz në 2021,  gatishmëria ndaj tyre mund të rezultojë më efikase, të ketë një ndikim afatgjatë dhe të minimizojë koston e ndihmës.

Sidoqoftë, kjo do të kërkojë që donatorët të heqin dorë nga mekanizmat e tyre të financimit dhe planet e paracaktuara, dhe të kërkojnë zgjidhje të reja. Për fat të mirë, gjatë gjithë pandemisë,  të gjithë u mbështetën në stafin e tyre kombëtar, rrjetin e partnerëve lokalë dhe punëtorët shëndetësorë për t’u kujdesur për popullin.

Bota ka vazhduar të ndërtojë kapacitetin e organizatave lokale dhe rajonale dhe ka trajnuar më shumë punonjës shëndetësorë për t’iu përgjigjur nevojave të gjeneruara nga pandemia – dhe për t’u përgatitur për një tjetër.

Teknologjia ka ndihmuar shumë. Më shumë se 87,000 punonjës të vijës së parë të COVID-19 u trajtuan virtualisht në vitin 2020 në 52 vende.

Pandemia COVID-19 ka të ngjarë të gjenerojë nevoja të reja dhe më të mëdha, megjithatë duhet të jemi optimistë për të ardhmen nëse heqim dorë nga  paragjykimet dhe mësojmë nga dështimet.

Përktheu nga Aljazeera, abcnews.al